Eksperti i mbrojtjes në gjykimin për “Puls”: Në objektin kishte tre hyrje dhe dalje, por jo për evakuim
Pyetjet e Prokurorisë lidhur me numrin e hyrjeve dhe daljeve në diskotekën “Puls” në Koçan dhe mundësinë e evakuimit të vizitorëve natën e zjarrit shkaktuan disa kundërshtime nga mbrojtja dhe reagime nga familjet e viktimave në seancën e sotme gjyqësore, të mbajtur në sallën e gjyqit në Idrizovë, pranë Gjykatës Themelore Penale të Shkupit.
Në vazhdimin e seancës së sotme gjyqësore, Prokuroria kërkoi nga eksperti i angazhuar nga mbrojtja, Petre Ruseski, të përgjigjej për numrin dhe funksionalitetin e daljeve të objektit, materialet ndërtimore, planin e evakuimit dhe evakuimin e vetë vizitorëve, si dhe funksionalitetin e ventilimit, kjo, duke pasur parasysh se, siç theksoi Prokuroria, “eksperti tashmë po hyn në analizë dhe vlerëson se objekti i plotësonte kushtet përkatëse minimale teknike”.
Eksperti Ruseski tha se nuk kishte kryer një analizë të tillë, ndërsa konstatimet e paraqitura, tha, ishin vetëm ato që tashmë janë përcaktuar nga institucione të tjera kompetente, siç është ISHT dhe ato që tashmë i kanë nxjerrë.
“Thashë që gjatë marrjes së lejes së ndërtimit duhet të dorëzohet edhe një raport për mbrojtje nga zjarret. Një raport i tillë, duke pasur parasysh që ka marrë miratimin dhe ndërtesa i plotëson ato, ndërtohet në atë mënyrë. Për më tepër, objekti ka marrë një leje përdorimi për t’u përdorur si objekt afarist dhe këtu Ligji për Ndërtimin nuk ka më kompetenca. Sa i përket aktivitetit të kryer në objekt, ka institucione që i kontrollojnë raportet dhe janë kompetente për të kontrolluar. Sa i përket natës kritike, nëse janë përmbushur apo jo, kam theksuar disa herë se duhet të përgjigjet një ekspert nga mbrojtja zjarrfikës, ne si arkitektë dhe ekspertë të ndërtimit nuk mundemi”, tha Ruseski.
Pasi prokurori Darko Jakimovski kërkoi nga eksperti Ruseski të thoshte nëse nga ekspertiza e tij mund të nxirrej përfundimi se natën e ngjarjes vizitorët mund t’i përdornin pa pengesa të tri dyert për evakuim, eksperti u përgjigj “tashë se kishte tri hyrje-dalje, por jo për evakuim, kjo është një pyetje pë ekspert nga mbrojtja zjarrfikëse”.
Pas pyetjeve shtesë të prokurorit Jakimovski, i cili kërkoi që eksperti të shpjegonte konkretisht se si kishte arritur në përfundimin se kishte tri dyer dhe jo vetëm një, e cila ishte bllokuar kur ndodhi shtyrja masive dhe vizitorët nuk mundën të dilnin pas shpërthimit të zjarrit, i akuzuari i parë, Dejan Jovanov, iu drejtua “Nëse dëshiron ta dish, unë dola i fundit nga ajo derë!”
Prokuroria kërkoi nga eksperti të përgjigjej nëse e kishte të njohur nenin 3 të Ligjit për Ndërtim dhe dispozitat e nenit 19 të Rregullores për masat e mbrojtjes nga zjarri, ku përcaktohet se për tavanet duhet të përdoret material me rezistencë ndaj zjarrit prej të paktën 0,5 orësh, eksperti u përgjigj se nuk kishte kryer një analizë të tillë.
„Rregulloren e kam analizuar nga aspekti i ndalimit të përdorimit të sfungjerit dhe kam kërkuar një dispozitë që përcakton nëse sfungjeri është i ndaluar”, deklaroi eksperti.
Gjykata nuk e lejoi pyetjen nëse sfungjeri i polietilenit kishte kontribuar në shkaktimin e zjarrit, duke theksuar se eksperti në konstatimin dhe mendimin e tij kishte deklaruar se “arsyen e shkaktimit të zjarrit e ka përcaktuar vetëm nga konstatimi dhe mendimi forenzik”.
Në pyetjet e Prokurorisë, se nuk ka kryer analizë për ndikimin e sfungjerit të polietilenit në shkaktimin dhe përhapjen e zjarrit, për numrin e vizitorëve dhe evakuimin e tyre, rolin e interierit dhe rregullimit të hapësirës, si dhe nëse kishte analizuar mundësitë e daljes nga diskoteka, eksperti u përgjigj: „Për sfungjerin nuk ekzistojnë analiza laboratorike nga asnjëra palë për efektin e tij, sepse sfungjeri nuk ekziston më në vendngjarje, është djegur. Për evakuimin dhe numrin e vizitorëve duhet të përgjigjet një ekspert i asaj fushe”.
Gjykimi për zjarrin në “Puls” vazhdon me paraqitjen e provave të propozuara nga mbrojtja.
Procesin gjyqësor e udhëheq gjyqtarja Dijana Gruevska-Ilievska, ndërsa prokuroria përfaqësohet nga një ekip prej 15 prokurorësh publikë.
Në zjarrin në diskotekën “Puls” në Koçan, më 16 mars 2025, gjatë performancës së grupit DNK, e humbën jetën 63 persona, ndërsa mbi 200 të tjerë u lënduan. Kjo është një nga tragjeditë më të rënda në historinë më të re të vendit.

