Edhe një javë mundësi për shkollat e Maqedonisë së Veriut që të aplikojnë në konkursin e OSBE-së

Deri më 30 prill do të jetë i hapur Konkursi i Misionit të OSBE-së për shkollat e Maqedonisë së Veriut për financimin e shkollave deri 7 000 euro. Ky konkurs është në kuadër të nismës “Ndërtimi i urave të reja” që mbështetet nga Mbretëria e Norvegjisë, Republika e Polonisë dhe Dukata e Madhe e Luksemburgut.

Konkursi është i hapur për shkollat publike, kopshtet, fakultetet për trajnimin e mësimdhënësve, komunat dhe fakultetet pedagogjike, ndërsa periudha e realizimit të Konkursit është nga qershori i vitit 2023 deri në maj të vitit 2024.

“Sipas thirrjes së parë për propozime, Fondi për Ndërtimin e urave të reja siguron grante deri në 7000 Euro për shkollat, fakultetet pedagogjike dhe komunat, dhe deri në 3500 Euro për kopshtet, për propozim projektet e zbatuara midis qershorit 2023 dhe majit 2024”, raportoi OSBE-ja

Aplikimet në lidhje me Konkursin, mund të dërgohen në adresën [email protected], ku mund edhe të parashtrohen pyetje në lidhje me Konkursin. Aplikimi duhet të dorëzohet në gjuhën angleze.

“Ky projekt i ri synon më tej ndërtimin e shoqërive gjithëpërfshirëse që ushqejnë dhe krenohen me pluralizmin kulturor dhe respektin për tolerancën, dialogun dhe bashkëpunimin, në një klimë besimi dhe mirëkuptimi të ndërsjellë si garanci më të mira të paqes dhe sigurisë sociale. /Telegrafi/

MARKETING