Dy të arrestuar në Saraj, policia u gjen armë gjuetie dhe municion në automjet
Dy persona janë arrestuar nga policia në territorin e Komunës së Sarajit, pasi gjatë kontrollit të automjetit me të cilin udhëtonin janë gjetur dhe sekuestruar armë gjuetie dhe municion.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), më 12 qershor 2026, rreth orës 23:45, në rrugën ndërmjet fshatrave Shishovë dhe Gërçec, nëpunës policorë nga Njësiti i Policisë Intervenuese pranë SPB Shkup kanë privuar nga liria N.S. (54) nga fshati Saraj dhe R.S. (58) nga fshati Krushopek.
Gjatë kontrollit të automjetit të tipit “Hyundai” me targa të Shkupit, të cilin e drejtonte R.S., ndërsa N.S. ndodhej si pasagjer, policia ka gjetur dhe sekuestruar dy pushkë gjuetie të markës “Baikal”, të kalibrit 12, si dhe 22 fishekë gjuetie dhe sende të tjera.
Të dy personat janë ndaluar në stacion policor për procedura të mëtejshme.
Nga MPB njoftojnë se pas dokumentimit të plotë të rastit ndaj tyre do të parashtrohen kallëzimet përkatëse.

