Durmishi: Çdo punëtor meriton kushte të sigurta dhe dinjitoze, siguria në punë është prioriteti ynë

Durmishi: Çdo punëtor meriton kushte të sigurta dhe dinjitoze, siguria në punë është prioriteti ynë

Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, ka theksuar përkushtimin e Ministrisë për përmirësimin e kushteve të punës dhe krijimin e një mjedisi më të sigurt e më të shëndetshëm për të gjithë punëtorët, me rastin e shënimit të Javës Evropiane për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë.

MARKETING

Shik.mk

Gjatë fjalimit para përfaqësuesve të sindikatave, punëdhënësve dhe partnerëve socialë, Durmishi nënvizoi se siguria dhe shëndeti në vendin e punës nuk përbëjnë vetëm detyrim ligjor, por janë të drejta themelore të çdo punëtori.

“Qëllimi ynë është i qartë – secili punëtor të ketë mjedis të sigurt pune, të jetë i mbrojtur nga rreziqet dhe pas përfundimit të ditës së punës të kthehet në shtëpi shëndoshë e i sigurt”, deklaroi Durmishi.

Ai theksoi se ndër prioritetet kryesore të Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës mbeten përmirësimi i kornizës ligjore, forcimi i masave parandaluese dhe përshtatja e politikave me sfidat e reja që sjellin digjitalizimi dhe zhvillimi teknologjik.

Sipas ministrit, investimet në sigurinë dhe shëndetin në punë duhet të konsiderohen si investime afatgjata në zhvillimin e kompanive dhe rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë, e jo si shpenzime shtesë.

Në kuadër të ngjarjes, Durmishi përgëzoi edhe kompanitë e vlerësuara me Çmimin Kombëtar për sistemin më të mirë të zbatuar të sigurisë dhe shëndetit në punë. Ai i cilësoi praktikat e tyre si shembuj që mund të ndiqen edhe nga bizneset e tjera, me qëllim të përmirësimit të standardeve të sigurisë në vendet e punës.

“Zhvillimi ekonomik ka vlerë të vërtetë vetëm kur shoqërohet me mbrojtjen e shëndetit, sigurisë dhe dinjitetit të punëtorëve”, ishte mesazhi përmbyllës i ministrit Durmishi.

MARKETING