Drejtori i FBI-së: Pandemia e coronavirusit është shkaktuar nga një incident në një laborator në Wuhan

Drejtori i FBI-së: Pandemia e coronavirusit është shkaktuar nga një incident në një laborator në Wuhan

Drejtori i FBI-së, Christopher Wray, ka thënë mbrëmë se agjencia e sigurisë ka vlerësuar se pandeminë e coronavirusit e ka shkaktuar një incident në një laborator në qytetin kinez Wuhan.

“FBI ka vlerësuar për disa kohë se burimi i pandemisë ka shumë të ngjarë të jetë një incident i mundshëm laboratorik në Wuhan”, shtoi Wray për Fox News.

Deklarata e tij pasoi raportin e Wall Street Journal të së dielës, se Departamenti amerikan i Energjisë vlerësoi me besim të ulët se pandemia ishte shkaktuar nga një rrjedhje aksidentale e virusit nga një laborator kinez.

“Kina po bën gjithçka që mundet për të penguar përpjekjet e SHBA dhe vendeve të tjera për të mësuar më shumë rreth origjinës së pandemisë”, theksoi drejtori i FBI-së.

Disa agjenci besojnë se pandemia ka të ngjarë të jetë rezultat i transmetimit natyror, ndërsa të tjerat janë të pavendosura, shkruan Wall Street Journal.

Zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, tha të hënën se qeveria amerikane nuk ka një raport përfundimtar dhe konsensus mbi origjinën e pandemisë.

Ministria e Jashtme e Kinës citoi një raport nga Organizata Botërore e Shëndetësisë që tregonte një origjinë natyrore të pandemisë, dhe jo një rrjedhje nga një laborator.

Wray tha se nuk mund të ndajë shumë detaje në lidhje me vlerësimin e agjencisë sepse është informacion konfidencial.

Ai akuzoi qeverinë kineze se “po bën gjithçka që mundet për të penguar dhe turbulluar” përpjekjet e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera për të mësuar më shumë rreth origjinës së pandemisë. /Telegrafi/

MARKETING