Dembele refuzoi çmimin lojtari i ndeshjes – pas kësaj, foto e tij u bë virale

Dembele refuzoi çmimin lojtari i ndeshjes – pas kësaj, foto e tij u bë virale

Sulmuesi i Paris Saint-Germain, Ousmane Dembele, ka ndarë mendimet e tij pas humbjes së tyre në ndeshjen e dytë çerekfinale ndaj Aston Villa në Ligën e Kampionëve të UEFA-s, e cila pa skuadrën franceze të kalojë në gjysmëfinale.

PSG kaloi në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, por mbrëmja në Birmingham nuk ishte pa drama. Aston Villa ishte në prag të një sensacioni, duke çuar rezultatin në 3-2 edhe pse ishin duke humbur 0-2 pas vetëm 23 minutave.

Luis Enrique dhe skuadra e tij thuajse e humbën atë që dukej si një epërsi e sigurt. Aston Villa kishte më shumë se gjysmë ore për të shënuar një gol që do ta çonte ndeshjen në vazhdime dhe nervozizmi u ndje si në fushë ashtu edhe në tribunë.

Këtë e tregoi më së miri Dembele, i cili refuzoi të pranonte çmimin e lojtarit të ndeshjes pas ndeshjes dhe i zemëruar u fut në dhomën e zhveshjes. Në fund, ata e bindën të qëndronte para kamerave, por fotografia nga çmimi MVP thotë më shumë se fjalët – Dembele ishte dukshëm i mërzitur duke mos e fshehur zhgënjimin.

“Ne menduam se ishim shumë të mirë. Në 2-1 menduam se ishim kualifikuar në gjysmëfinale dhe se loja kishte përfunduar. Kështu është në Ligën e Kampionëve. Ju luani kundër ekipeve që kanë tifozë të pasionuar dhe ata mund t’i kthejnë ndeshjet në favor të tyre”, ka thënë fillimisht Dembele pas ndeshjes..

Ylli francez e bëri të qartë se çmimin lojtari i ndeshjes e meritoi portieri i tyre, Gianluigi Donnarumma, i cili pati një paraqitje të nivelit të lartë.

“Donnarumma është një nga portierët më të mirë në botë – ai na shpëtoi sot. Ai ishte lojtari më i mirë në fushë, jo unë, sepse ai bëri disa pritje të jashtëzakonshme. Ai është një lider i vërtetë dhe ka luajtur në nivelin më të lartë për shumë vite. Sot, ai na ndihmoi të shkojmë në raundin tjetër”, përfundoi francezi.

Një foto nga ceremonia e ndarjes së çmimeve MVP, në të cilën Dembele duket sikur më mirë do të ishte diku tjetër, tashmë është një hit në rrjetet sociale. 

MARKETING