Deklaratat për Faton Hajrizin, Albulena Haxhiu intervistohet nga Prokuroria Speciale
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës njofton se Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, është intervistuar sot me autorizim të Prokurorisë Speciale.
Kjo intervistë ka për qëllim sqarimin e deklaratave të saj të dhëna në mediumin TV Dukagjini, në emisionin “Debat Plus” më datë 02 Korrik 2024, lidhur me takimet dhe diskutimet e mundshme me prokurorë dhe gjyqtarë për raste të caktuara.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, njofton opinionin publik se me autorizim të Prokurorisë Speciale, sot është intervistuar Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, me qëllim të sqarimit të deklaratës së saj të dhënë në mediumin TV Dukagjini, në emisionin “Debat Plus’’ më datë 02 Korrik 2024, lidhur me takimet dhe diskutimet e mundshme me prokurorë dhe gjyqtarë për raste të caktuara”, thuhet në njoftim.
Përveç kësaj, intervistimi ka të bëjë edhe me postimin e saj në rrjetin social Facebook të datës 20 Korrik 2024, ku ajo shprehet për arratisjet që kanë ndodhur nga burgjet e Kosovës.
Prokuroria Speciale konfirmon se intervistimi i Ministres Haxhiu për sqarimin e këtyre çështjeve do të vazhdojë edhe nesër.
Ministrja Haxhiu kishte theksuar se e rëndësishmeështë të potencohet fakti që arratisja e disa personave që po kërkohen nga institucionet përgjegjëse në Republikën e Kosovës po bëhet vetëm në një drejtim: atë të territorit të Serbisë.
“Informacionet e organeve tona sugjerojnë që së paku në disa raste, këto arratisje janë cytur, organizuar, bashkëorganizuar e lehtësuar nga grupe kriminale të lidhura me struktura të pushtetit në territorin e Serbisë”./Telegrafi/