Ministri izraelit Ben-Gvir: SHBA-ja “shumë naive” lidhur me Iranin, Izraeli “mund të veprojë vetëm”
Ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, të martën tha se Shtetet e Bashkuara do të ishin “shumë naive” nëse besojnë se Irani do të heqë dorë nga programi i tij bërthamor, duke lënë të kuptohet se Tel Avivi “mund të veprojë i vetëm” kundër Teheranit, transmeton Anadolu.
“Amerikanët janë shumë naivë nëse mendojnë se iranianët do të heqin dorë nga programi i tyre bërthamor dhe do ta anulojnë atë, si dhe do të heqin dorë nga ëndrrat e tyre për shkatërrimin e Izraelit”, tha Ben-Gvir në një intervistë për Kanalin 7 të Izraelit.
“Është përgjegjësi e Izraelit të përballet me këtë kërcënim iranian dhe të veprojë kundër tij i vetëm”, shtoi ai.
Ministri ekstremist tha se “asnjë rrethanë” nuk mund ta detyrojë Izraelin të veprojë “sipas diktateve të një miku, edhe nëse ai mik është vërtet i madh”.
Në javët e fundit kanë dalë dallime mes SHBA-së dhe Izraelit lidhur me ofensivën ushtarake të Tel Avivit në Liban, në kohën e negociatave mes Washingtonit dhe Teheranit për një marrëveshje të qëndrueshme paqeje.
Washingtoni dhe Tel Avivi e akuzojnë Teheranin se ka programe bërthamore dhe raketore që, sipas tyre, kërcënojnë Izraelin dhe shtetet rajonale aleate të SHBA-së. Irani, megjithatë, këmbëngul se programi i tij bërthamor është paqësor dhe nuk synon zhvillimin e armëve bërthamore apo kërcënimin e vendeve të tjera.
SHBA-ja dhe Izraeli kanë nisur një luftë kundër Iranit më 28 shkurt, duke shkaktuar sulme hakmarrëse nga Teherani që kanë goditur objektiva amerikane në Lindjen e Mesme. Luftimet u ndalën më 8 prill me një armëpushim të ndërmjetësuar nga Islamabadi.
Presidenti amerikan Donald Trump dhe homologu i tij iranian Masoud Pezeshkian nënshkruan elektronikisht më 17 qershor një memorandum mirëkuptimi për arritjen e një marrëveshjeje të qëndrueshme paqeje mes dy palëve.

