Daçiq: Duket sikur Kosova po shpërblehet për papërgjegjësinë

Daçiq: Duket sikur Kosova po shpërblehet për papërgjegjësinë

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se ish-qeveritarët e Serbisë vetë kishin kërkuar që dialogu me Kosovën të transferohej në Bruksel.

Daçiq ka folur në dhjetëvjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit.

“Ne e shfrytëzuam atë kohë për ta stabilizuar pozitën tonë në politikë të jashtme, për të rikthyer çështjen në rend dite. Po ju kujtoj se në atë kohë, askush nuk donte të fliste për statusin e Kosovës, sepse konsiderohej se kjo çështje ishte zgjidhur tashmë, sidomos pas atij mendimi këshillimor i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Po ju kujtoj se është faji ynë që transferuam atë dialog në Bruksel, pasi ishte kërkesë e Serbisë, gjegjësisht e autoriteteve tona të asaj kohe. Tash është e vështirë të merret sërish një vendim në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së që të kthehet procesi në OKB”, tha Daçiq, raporton “EuroNews Serbia”.

Ai ka thënë se për 10 vjet “ndërkombëtarët kanë mbyllur sytë karshi papërgjegjësisë së Prishtinës”.

“Po përsëritet diçka e ngjashme me atë që tha Merkel për Ukrainën. Është se e qartë se Prishtina, me përkrahjen e komunitetit ndërkombëtar, donte ta shmangte formimin e AKS-së gjatë gjithë kësaj kohe”, tha Daçiq. “Ne sigurisht se nuk do të devijojmë nga ajo që është detyrim edhe i komunitetit ndërkombëtar. Këtu rrezikohet besueshmëria e Bashkimit Evropian”.

Ai ka reaguar edhe në lidhje me liberalizimin e vizave për Kosovën. Ka thënë se po nënshkruhet marrëveshja në ditën kur është dhjetëvjetori i Marrëveshjes së Brukselit.
“Kosova duket se po shpërblehet për këto 10 vjet që nuk dëshiron ta formojë AKS-në, gjë që nuk është një çështje në të cilën insiston vetë Serbia – është nënshkruar nga BE-ja, Catherine Ashton. Nuk mund të themi tash se nuk vlen dhe të bisedojmë për diçka tjetër. Hapi i parë duhet të jetë zbatimi i asaj që është rënë dakord”, tha Daçiq.

Takimi i radhës në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiqit do të mbahet më 2 maj.

Daçiq thotë se është e sigurt se Kurti “s’dëshiron ta formojë Asociacionin dhe po shikon mënyra ta shmangë atë”.

Kryediplomati serb ka folur edhe lidhur me mundësinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin Evropës.

“Gjermania insiston në fillimin e kësaj procedure, që do ta shpërblente Kosovën për qëndrimin e saj konstruktiv në lidhje me Ohrin dhe këtë marrëveshje të fundit – duke harruar se në planin e zbatimit për të cilin është rënë dakord, ka vetëm dy pika në fillim: deklarata për të zhdukurit dhe AKS-në menjëherë, vetëm pas kësaj mund të flasim për diçka tjetër”, tha Daçiq.

MARKETING