Çairi me renditje të lartë, e nis nga raundi i tretë dhe si bartës në shortin e Kupës Evropiane të EHF-së
Ekipi i Çairit, së bashku me Vardarin, do të jenë përfaqësuesit e Maqedonisë në edicionin e ri të Kupës Evropiane të EHF-së, raporton SHENJA.
Ndryshe nga Vardari, i cili do ta nisë garën nga raundi i dytë, Çairi gëzon një renditje të lartë në listën e EHF-së dhe do ta nisë garën si skuadra e shtatë më e renditur, mes gjithsej 54 ekipeve të paraqitura. Kjo renditje u garanton hendbollisteve të Çairit statusin e bartëses në vazon e parë të shortit për raundin e tretë, si dhe për fazën e 1/8 së finales, nëse eliminojnë kundërshtarin e tyre të parë.
Së bashku me Juventa Mihalovce nga Sllovakia, Haukar nga Islanda, Yalıkavak nga Turqia, Ionias nga Greqia, Madeira nga Portugalia, Westfriesland nga Holanda, Erice nga Italia, Atzgersdorf nga Austria dhe Ajdovščina nga Sllovenia, skuadra e drejtuar nga Basri Latifi do të presë përfundimin e ndeshjeve të raundit të dytë për të mësuar kundërshtarin, i cili do të jetë një nga fituesit e atyre përballjeve.
Çairi do ta mësojë rivalin për raundin e tretë të Kupës Evropiane të EHF-së më 13 tetor, pasi të përfundojnë të gjitha ndeshjet e raundit të dytë.
Ndeshjet e raundit të tretë do të zhvillohen më 7 dhe 8 nëntor, ndërsa takimet e kthimit janë caktuar për 14 dhe 15 nëntor. /SHENJA/

