Bytyqi: Përmes mbështetjes së investimeve të reja e nxisim zhvillimin ekonomik lokal

Bytyqi: Përmes mbështetjes së investimeve të reja e nxisim zhvillimin ekonomik lokal

Aktiviteti i suksesshëm dhe zhvillimor afarist i “DIM Komerc” është shembull sesi politikat ekonomike të Qeverisë japin rezultate reale dhe konkrete në fushën e nxitjes dhe avancimit të Zhvillimit të balancuar rajonal, tha zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, përgjegjës për Çështje Ekonomike, Koordinim me Resorët Ekonomikë dhe Investimet, Fatmir Bytyqi, gjatë vizitës në kompaninë “DIM Komerc” nga Valandova, e cila është mbështetur përmes Ligjit për Mbështetje Financiare të Investimeve.

Zëvendëskryeministri Bytyqi potencoi se kompania arrin të ruajë konkurrueshmërinë e saj në tregjet e huaja përmes investimeve të vazhdueshme dhe avancimit të prodhimit.

“Duke adoptuar vazhdimisht praktikat dhe teknologjitë më moderne të biznesit në fushën e përpunimit dhe konservimit të frutave dhe perimeve, me një proces të rrumbullakosur prodhimi, i ashtuquajtur “nga fara e deri te produkti final”, “DIM Komerc” është shembull i një kompanie në rritje, zhvillim dhe të qëndrueshme në vendin tonë, jashtë rajonit planor më të zhvilluar të Shkupit, e cila mbështetet përmes Ligjit për Mbështetje Financiare të Investimeve”, tha Bytyqi.

Ai informoi se në vitin 2021 kompania ka filluar një cikël të ri investimi pesëvjeçar prej mbi 1 milion euro, në të cilin mbështetet në drejtim të punësimeve të reja, rritjes së investimeve kapitale dhe të ardhurave, si dhe në forcimin e konkurrueshmërisë në treg, kurse përmes përpunimit të produkteve të konservuara të shëndetshme, ekologjike dhe të pastra nga frutat dhe perimet, do t’i japë një impuls pozitiv zhvillimit ekonomik lokal, gjë që për qytetarët e Valandovës dhe rrethinës do të thotë vende të reja pune, paga më të larta dhe standard më të lartë jetese.

“Aktiviteti i suksesshëm dhe zhvillimor afarist i “DIM Komerc” është një shembull sesi politikat ekonomike të Qeverisë japin rezultate reale dhe konkrete në fushën e nxitjes dhe avancimit të Zhvillimit të Balancuar Rajonal, i cili do të plotësojë nevojat e qytetarëve pavarësisht se ku jetojnë ata. Në të njëjtën kohë, edhe një herë si Qeveri me vepra kemi treguar se jemi të përkushtuar dhe këmbëngulës në synimin tonë për të mbështetur kompanitë vendore në mënyrë transparente në përpjekjet e tyre për të avancuar prodhimin, konkurrueshmërinë dhe hapjen e vendeve të reja të punës”, tha Bytyqi.

Vlladimir Markov, menaxher në kompaninë “DIM Komerc”, falënderoi për ndihmën e marrë financiare, e cila ndër të tjera përdoret për ndërtimin e një objekti të përpunimit të pemëve dhe perimeve.

“Në vitin 2021 kompania jonë ka lidhur marrëveshje me Qeverinë e RMV-së për të mbështetur investimet. Jemi këtu në objektin që po ndërtojmë nga viti 2021 nga fondet e marra nga ndihma financiare për investime dhe janë të destinuara për ndërtimin e këtij objekti që do të jetë në funksion të atij ekzistues, për përpunimin e pemëve dhe perimeve”, tha Markov.

MARKETING