Bujar Osmani nga Sofja: Mohimi i komunitetit bullgar në Maqedoninë e Veriut nuk do të lejohet
Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani në Bullgari së bashku me kolegun e tij bullgar, Nikollaj Millkov, ka vizituar Hristijan Pendikov, i cili të enjten ishte sulmuar fizikisht në Ohër.
“Incidenti nga Ohri nuk reflekton vlerat e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, të shoqërisë sonë multietnike dhe ne do të kujdesemi që të ketë zero tolerancë për dhunën si përgjigje ndaj çfarëdo problemi, e më së paku ndaj bashkëjetesës ndëretnike.
Mohimi i komunitetit bullgar në Maqedoninë e Veriut nuk do të lejohet, ashtu siç nuk do të lejohet mohimi i popullit maqedonas dhe së bashku – maqedonasit, bullgarët, shqiptarët, turqit dhe të tjerët do të jetojnë njëlloj të lirë.
Çdo ardhje e politikanëve që fyejnë dhe mohojnë popullin maqedonas, do të duhet t’i trajtojmë seriozisht. Rrethi vicioz në të cilin kemi hyrë duhet të ndalet”, ka shkruar Bujar Osmani, raporton SHENJA.