‘Bota në fokus’: Ataturku dhe fundi i kalifatit

‘Bota në fokus’: Ataturku dhe fundi i kalifatit

Qeveria e sulltanit e largoi nga shërbimi Mustafa Kemalin kur mësoi për aktivitetet e tij nacionaliste, dhe ai bashkë me disa oficerë tjerë osman u rebeluan, duke vepruar kundër politikave të qeverisë së konstituuar në mënyrë të ligjshme në Stamboll.

Akti që i bashkoi forcat e rezistencës dhe e bëri popullatën turke të Anadollit të vetëdijshme për rrezikun që i kanosej, ishte pushtimi grek i Anadollit. Mustafa Kemali, që më vonë do të merrte epitetin Ataturk – baba i turqëve, arriti që në një farë forme nacionalistët ta zëvendësonjnë qeverinë e Stambollit si përfaqësues legjitimë të popullit turk.

Këto përpjekje çuan në mbledhjen e një trupe përfaqësuesish në Ankara në pranverën e vitit 1920 e cila u quajt Asambleja e Madhe Kombëtare.

Mustafa Kemali u zgjodh kryetar i kësaj Asambleje dhe vitin pasues u hartua kushtetuta e re që përmbante Paktin Kombëtar.

Një admirues i zjarrtë i institucioneve dhe sjelljeve europiane, ai ishte i vendosur t’i jepte formë Turqisë së re sipas imazhit të Perëndimit.

Në një shkëputje të menjëhershme me të shkuarën osmane, ai e shpërnguli kryeqytetin nga Stambolli në Ankara më 1923.

Baza e shtetit të Kemalit ishte shekullarizmi. Në kuadër te reformave, Asambleja e Madhe Kombëtare votoi në mars të 1924-s për të shfronësuar kalifin Abdulmexhid, për të hequr kalifatin, dhe për t’i dëbuar nga Turqia të gjithë pjesëtarët e familjes mbretërore Osmane, shkollat fetare u mbyllën.

Në vitin 1926 u shfuqizua sheriati dhe kodi civil osman dhe u adoptua kodi cvil zviceran, bashkë me kodet penale dhe tregtare të modeluar sipas shembujve italianë dhe gjermanë.

Pra, me legjislacionin e 1926-s, ligjet shekullare europiane i zëvendësuan ligjet e Zotit në të gjitha sferat e marrëdhënieve njerëzore.

Avdi Bakiju /SHENJA/

MARKETING