Bojkotohet mësimi në fshatin Moranë të Shkupit, kërkohet pavarësimi i shkollës fillore “Naim Frashëri”
Prindërit dhe banorët e fshatit Moranë të Shkupit kanë bojkotuar sot procesin mësimor, për shkak kërkesës së tyre për pavarësimin e shkollës fillore “Naim Frashëri”.
Nga Këshilli Iniciues për Bojkot, kanë njoftuar se kjo protestë është një shenjë e qartë e vendosshmërisë së tyre për të kërkuar një zgjidhje të drejtë për statusin e shkollës, e cila, thonë ata, përmbush të gjitha kushtet dhe kriteret për tu pavarësuar si institucion qendror.
“Gjatë bojkotit, banorët riafirmuan qëndrimin e tyre se shkolla jonë plotëson të gjitha kushtet e nevojshme, përfshirë klasat, kuadrin arsimor dhe numrin e nxënësve, siç është konfirmuar edhe nga Inspektorati i Arsimit.
Ne kërkojmë që institucionet përgjegjëse të japin një shpjegim të qartë për vonesën e miratimit të buxhetit nga Ministria e Financave dhe të marrin masat e duhura për të zgjidhur këtë çështje.
Ne nuk do të tërhiqemi derisa të kemi një zgjidhje konkrete dhe të drejtë. Ftojmë institucionet që të përmbushin përgjegjësitë e tyre dhe të veprojnë sa më shpejt në interes të edukimit dhe të ardhmes së fëmijëve tanë”, thuhet në njoftimin e Këshillit Iniciues për Bojkot. /SHENJA/