Bllokada amerikane ndaj porteve iraniane vazhdon pavarësisht njoftimit të Trumpit
Bllokada detare amerikane ndaj porteve iraniane vazhdon të jetë në fuqi, transmeton Anadolu.
Duke cituar marinarë iranianë, agjencia gjysmëzyrtare iraniane e lajmeve Tasnim raportoi se “bllokada detare është ende në fuqi dhe anijet po marrin paralajmërime për ndalim dhe refuzim kalimi nga CENTCOM”.
Nga ana e tij, një këshilltar i lartë ushtarak i udhëheqësit suprem të Iranit akuzoi Washingtonin për “tradhti ndaj diplomacisë”.
“Siç pritej, presidenti amerikan po e tradhton diplomacinë për herë të tretë. Duke vazhduar bllokadën detare dhe duke paraqitur kërkesa të tepruara në negociata, ai ka dëshmuar edhe më tej se nuk është i gatshëm të angazhohet në bisedime dhe po ndjek objektiva të tjera”, shkroi Mohsen Rezaei në rrjetin social amerikan X.
Në një postim dje në platformën e tij sociale Truth Social, presidenti amerikan, Donald Trump, tha se Iranit do t’i kërkohej të hiqte çdo minë të mbetur në Ngushticën e Hormuzit, ndërsa SHBA-ja do të hiqte bllokadën detare ndaj anijeve që hynin ose dilnin nga portet iraniane.
“Anijet e bllokuara në ngushticë për shkak të bllokadës sonë detare të jashtëzakonshme dhe të paprecedentë, e cila tani do të hiqet, mund të fillojnë procesin e ‘kthimit në shtëpi’ ”, shkroi Trump.
Tensionet rajonale janë përshkallëzuar që kur SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulme kundër Iranit në shkurt. Teherani u kundërpërgjigj me sulme ndaj Izraelit dhe aleatëve amerikanë në Gjirin Persik, si dhe me mbylljen e Ngushticës së Hormuzit.
Një armëpushim hyri në fuqi më 8 prill me ndërmjetësimin e Pakistanit dhe më vonë u zgjat pa afat nga presidenti Trump.
Pas ngecjes së negociatave të ndërmjetësuara nga Islamabadi, SHBA-ja vendosi bllokadë ndaj porteve iraniane që nga 13 prilli, përfshirë ato përgjatë Ngushticës së Hormuzit.
Përpjekjet e ndërmjetësimit vazhdojnë për t’i dhënë fund konfliktit mes palëve.

