Bie çmimi i naftës pas raportimeve se ShBA-ja e Irani janë afër paktit për fundin e luftës
Çmimet e naftës kanë rënë dhe vlera e aksioneve në tregje globale ka shënuar rritje, pas raportimeve se Shtetet e Bashkuara dhe Irani janë afër një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës.
Çmimi për një fuçi naftë të papërpunuar në bursën “Brent” ra në 97 dollarë, por më pas u ngrit në 101 dollarë. Sidoqoftë, një ditë më parë, ky çmim ishte mbi 108 dollarë, raporton televizioni BBC.
Indeksi i aksioneve “FTSE 100” i kompanive më të mëdha publike në Londër dhe indeksi “Dax” i Gjermanisë u mbyllën me mbi 2 për qind rritje, ndërsa indeksi francez “Cac 40” shënoi rritje për 3 për qind. Edhe indekset aziatike shënuan ngritje, ndërsa indeksi amerikan “S&P 500” u rrit për 1 për qind në tregtinë e hershme.
Lëvizjet pozitive në tregje erdhën pasi mediumi amerikan “Axios” raportoi se Shtetet e Bashkuara besojnë që janë afër nënshkrimit të një dokumenti njëfaqësh, me të cilin do t’i jepet fund luftës me Iranin dhe do të përgatitet terreni për bisedime të hollësishme bërthamore.

