Biden padit Departamentin e Drejtësisë për të parandaluar publikimin e audio-intervistave për memuarin e tij
Ish-presidenti amerikan Joe Biden ka paditur Departamentin amerikan të Drejtësisë, duke kërkuar nga gjykata federale të ndalojë publikimin e regjistrimeve audio dhe transkripteve të bisedave të tij me shkrimtarin fantazmë të kujtimeve të tij të publikuara në vitin 2017, transmeton Anadolu.
Çështja ligjore nisi pas një kërkese të vitit 2024 nga “Heritage Foundation”, e cila kërkoi nga qeveria publikimin e materialeve që lidhen me bisedat e Bidenit me Mark Zwonitzer, shkrimtarin që e ndihmoi në librin “Promise Me, Dad: A Year of Hope, Hardship, and Purpose”.
Më herët, Departamenti i Drejtësisë kishte refuzuar publikimin e materialeve, duke thënë se ato përjashtohen nga zbulimi publik.
Avokatja e Bidenit, Amy Jeffress shkroi në padinë e paraqitur të martën në Gjykatën Federale të SHBA-së në Washington se Departamenti “e ka ndryshuar këtë qëndrim” gjatë mandatit të dytë të presidentit Donald Trump.
“Pa ndonjë shpjegim zyrtar për këtë ndryshim qëndrimi, Departamenti e njoftoi presidentin Biden për qëllimin e tij që t’ua dorëzojë regjistrimet audio dhe transkriptet paditësve në çështjen sipas Ligjit për Lirinë e Informimit”, tha Jeffress.
Padia e Bidenit thotë se më 5 maj Zyra e Zëvendësprokurorit të Përgjithshëm e informoi atë se Departamenti kishte marrë vendim përfundimtar për publikimin e materialeve, me disa redaktime të kufizuara, për “Heritage Foundation” dhe Kongresin më 15 qershor.
Jeffress shkroi se në bisedat me Zwonitzerin dhe më pas në kujtimet e tij, Biden kishte rrëfyer një periudhë shumë të rëndësishme dhe të dhimbshme të jetës së tij që nisi gjatë festës së Falënderimeve në vitin 2014. Ajo theksoi se një informacion i tillë personal përjashtohet nga publikimi sipas Ligjit për Lirinë e Informimit.
“Çdo amerikan, përfshirë një zëvendëspresident aktual apo ish-zëvendëspresident, ka të drejtë për privatësi në bisedat personale që zhvillon brenda shtëpisë së tij”, thuhet në padi.
“Heritage Foundation” kishte kërkuar të gjitha materialet që ish-këshilltari special Robert Hur përdori gjatë hartimit të pjesëve të raportit të tij të vitit 2023 mbi trajtimin e dokumenteve të klasifikuara nga Bideni. Këto pjesë e përshkruanin Bidenin si dikë që lëvizte “jashtëzakonisht ngadalë”, kishte vështirësi të kujtonte ngjarje dhe ndonjëherë e kishte të vështirë të lexonte apo të rikujtonte shënimet e veta.
Regjistrimet audio nga intervista e Hurit me Bidenin lidhur me dokumentet e klasifikuara që ai kishte mbajtur pas mandatit si zv/president duket se mbështesnin pretendimet për probleme me kujtesën, ndonëse zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë i kishin mohuar ato shqetësime në atë kohë. Hur më vonë vendosi të mos ngrinte akuza penale ndaj Bidenit.
Departamenti i Drejtësisë dhe Zwonitzer nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment. Trump reagoi gjithashtu për padinë në platformën e tij “Truth Social”, duke e përshkruar Bidenin si “politikan të korruptuar”.
Nëse gjykata nuk ndërhyn, materialet pritet të publikohen më 15 qershor.

