BDI: VMRO po zhvillon fushat të diskriminimit etnik dhe “pastrimit institucional”

BDI: VMRO po zhvillon fushat të diskriminimit etnik dhe “pastrimit institucional”

Bashkimi Demokratik për Integrim ka akuzuar sot VMRO – DPMNE-në se po zhvillon fushatë në vazhdim të diskriminimit etnik dhe “pastrimit institucional” e cila sipas tyre po vihet në zbatim ndaj administratorëve shtetërorë dhe publik, punonjësve të policisë dhe ata shëndetësorë si dhe shërbyesve civil me përkatësi shqiptare. Në një reagim të dërguar me shkrim nga kjo parti kanë thënë se, po kryhet një përpjekje sistematike për të degraduar dhe margjinalizuar profesionistët që i kanë shërbyer këtij shteti me përkushtim dhe profesionalizëm të pakontestueshëm.

 “Punonjësit shqiptarë, të cilët kanë dëshmuar lojalitetin e tyre ndaj institucioneve dhe qytetarëve të këtij vendi, po degradohen dhe po largohen në mënyrë të padrejtë nga detyrat e tyre. Kjo fushatë është një sinjal alarmues për një agjendë më të gjerë, që synon të përmbysë parimet e barazisë dhe harmonisë multietnike, të cilat janë themelet e Marrëveshjes së Ohrit. Kjo përpjekje e orkestruar nuk është vetëm një fyerje ndaj shqiptarëve – është një sulm ndaj vetë strukturave të shtetit. Degradimi i profesionistëve në polici, në sektorin e shëndetësisë dhe në institucionet e tjera publike dërgon një mesazh të rrezikshëm: se diskriminimi mund të institucionalizohet”, thuhet në komunikatën e BDI-së, raporton SHENJA.

BDI i ka bërë thirrje qeverisë të ndalojë menjëherë këto praktika, të cilat, siç thuhet jo vetëm që janë të padrejta, por minojnë edhe stabilitetin dhe kohezionin e vendit. /SHENJA/

MARKETING