BDI: Qeveria po favorizon Korridorin 10D në dëm të Korridorit 8

BDI: Qeveria po favorizon Korridorin 10D në dëm të Korridorit 8

BDI ka reaguar përmes një njoftimi lidhur me ecurinë e punimeve në projektin e Korridoreve 8 dhe 10D, duke i cilësuar informacionet e fundit si “jashtëzakonisht alarmante”.

MARKETING

Description of image

Sipas partisë, në terren po punohet me një raport pothuajse 4 me 1 në favor të segmentit Prilep–Manastir të Korridorit 10D, ndërsa mekanizimi, fuqia punëtore dhe dinamika e realizimit, sipas tyre, janë zhvendosur në dëm të Korridorit 8.

“Të dy segmentet janë pjesë e të njëjtit projekt që ne e siguruam me ‘Bechtel-Enka’. Sot Qeveria po e ndryshon në praktikë prioritetin e projektit. Për shkak të urdhrit politik që Korridori 10D të përfundojë deri në zgjedhjet e ardhshme në pranverë, pushteti synon ta përdorë atë si projekt elektoral. Nëse kjo konfirmohet, kemi të bëjmë me një skandal të rëndë, ku fondet, punëtorët dhe mekanizimi i një projekti shtetëror po orientohen sipas kalendarit zgjedhor të partive në pushtet”, thuhet në reagimin e BDI-së.

Nga kjo parti vlerësojnë se çështja është edhe më serioze, pasi, sipas tyre, Korridori 8 është një korridor strategjik i NATO-s dhe pjesë e lidhjes lindje–perëndim nga Adriatiku drejt Detit të Zi.

“Çdo vonesë e qëllimshme e këtij korridori ka pasoja që shkojnë shumë përtej politikës së brendshme. Prandaj duhet të marrë përgjigje pyetja nëse kemi vetëm keqpërdorim elektoral të një projekti prej miliarda eurosh, apo dikush po ngadalëson qëllimisht korridorin strategjik të NATO-s. Kush përfiton nga dobësimi i Korridorit 8?”, thekson BDI.

Partia shton se, në një kohë kur, sipas saj, Rusia ka interes që infrastruktura e NATO-s në rajon të avancojë sa më ngadalë, çdo vendim politik që ndikon në ritmin e realizimit të këtij projekti duhet të trajtohet me seriozitet.

Në fund, BDI kërkon transparencë të plotë nga institucionet kompetente, duke kërkuar të publikohen të dhënat mbi numrin e punëtorëve, mekanizmin dhe mjetet financiare të angazhuara në Korridorin 10D dhe në Korridorin 8, si dhe të sqarohet se kush e ka marrë vendimin për shpërndarjen aktuale të resurseve dhe mbi çfarë baze.

MARKETING