BDI: Qeveria e ka hequr plotësisht dosjen evropiane të vendit dhe mundësinë e vazhdimit të negociatave me BE-në

“Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh shqetësim të thellë për drejtimin e gabuar në të cilin Qeveria po e çon vendin, duke shkaktuar kërkesa gjithnjë e më të mëdha nga qytetarët për një rishqyrtim politik. Në çështjet kyçe me interes strategjik, Qeveria përballet me një dështim të plotë në prioritetet që vetë i paraqiti si interes shtetëror, gjë që patjetër duhet të rezultojë me zgjedhje të parakohshme parlamentare”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Nga BDI theksojnë se për motive populiste në prag të zgjedhjeve lokale, Qeveria e hoqi plotësisht dosjen evropiane të vendit dhe mundësinë për të vazhduar negociatat me BE-në.
Reagimi i plotë:
Në fjalimet e tij populiste dhe emocionale, Kryeministri jo vetëm që refuzon mundësinë e plotësimit të Kushtetutës me disa pakica, por edhe krenarisht e paraqet si suksesin më të madh politik të vendit shmangien e detyrimeve “Erga omnes” që rrjedhin nga marrëveshjet strategjike me Greqinë, respektivisht Marrëveshja e Prespës.
Kjo vetëm tregon se presioni publik i zgjedhjeve e ka larguar plotësisht Qeverinë nga dosja evropiane, e cila vetë e ka quajtur “Prioriteti numër një”.
Qeveria me veprimet e saj poashtu përpiqet t’i minojë mekanizmat që rrjedhin nga Marrëveshja e Ohrit, e cila përbën një kërcënim serioz për karakterin shumëetnik të shtetit – themeli më i fuqishëm dhe më i rëndësishëm për stabilitetin dhe prosperitetin afatgjatë.
Mungesa e negociatave në të njëjtën kohë i ka mundësuar Qeverisë të kapë plotësisht sistemin gjyqësor, ta përdorë si vegël personale dhe partiake, dhe në skenën publike të demonstrojë disiplinë dhe dominim ndaj Prokurorisë Publike dhe Gjykatësisë.
Kjo gjendje jo normale krijon një nevojë të qartë dhe të pamohueshme tek qytetarët për rishqyrtim politik të Qeverisë.
Vendit i duhet stabilitet afatgjatë politik që mund të sigurohet vetëm përmes mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare së bashku me ato lokale.
Kjo do të krijojë hapësirë pa përballje zgjedhore për disa vjet, duke i mundësuar elitave politike të hyjnë në procese të thella për shpëtimin e dosjes evropiane të vendit dhe kapjen e mundësisë së fundit për t’u rikthyer në rrugën evropiane së bashku me Shqipërinë dhe Malin e Zi.