BDI: Presion skandaloz dhe i papranueshëm nga VLEN ndaj drejtësisë
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ndaj deklaratave të VLEN-it lidhur me Prokurorinë dhe rastin “Lotaria”, duke i cilësuar ato si presion politik ndaj institucioneve të drejtësisë.
Në reagimin e saj, BDI thotë se deklaratat e VLEN-it përbëjnë ndërhyrje të drejtpërdrejtë ndaj Prokurorisë dhe ngre shqetësimin për ndikimin politik mbi institucionet e drejtësisë.
“Sot i gjithë opinioni është skandalizuar nga reagimi i partisë VLEN dhe apostrofimi i tyre ndaj Prokurorisë”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Sipas BDI-së, shqetësimet për presionet politike ndaj institucioneve të drejtësisë janë përmendur edhe në raportet e komunitetit ndërkombëtar. Partia pretendon se deklaratat e fundit të VLEN-it e forcojnë këtë shqetësim.
“Komuniteti ndërkombëtar në vazhdimësi raporton për presione qeveritare ndaj Prokurorisë dhe gjykatave, ndërsa VLEN këtë dyshim e konfirmoi sot publikisht”, thekson BDI.
BDI i referohet edhe raportit të Bashkimit Evropian, për të cilin thotë se ngre shqetësime serioze lidhur me ndërhyrjet politike në sundimin e ligjit.
“Prokuroria dhe Gjykatat duhet të vendosin në bazë të provave e jo direktivave politike dhe partiake. Drejtësi selektive partiake nuk i duhet as qytetarëve e as Maqedonisë së Veriut”, thuhet në reagim.
Nga BDI bëjnë të ditur se, sipas tyre, këto shqetësime ua kanë përcjellë edhe partnerëve ndërkombëtarë, duke përfshirë edhe reagimin e VLEN-it.
BDI u bën thirrje institucioneve të drejtësisë që vendimet t’i marrin në përputhje me ligjin dhe provat, duke kërkuar, siç thotë, “drejtësi evropiane dhe joselektive”.
Në pjesën tjetër të reagimit, BDI akuzon VLEN-in se po përpiqet të kamuflojë, sipas saj, “paaftësinë dhe dështimin e tërësishëm” përmes përndjekjes politike dhe presionit ndaj Prokurorisë.
Partia opozitare gjithashtu ngre akuza ndaj disa prej figurave të VLEN-it dhe kërkon që, sipas saj, hetimet dhe denoncimet të nisin nga radhët e kësaj partie.
Në reagim përmenden Izet Mexhiti, Visar Ganiu, Burim Latifi dhe Nedim Rama, ndaj të cilëve BDI parashtron pretendime për dëme financiare. Këto pretendime janë pjesë e akuzave politike të BDI-së dhe nuk paraqiten në reagim si vendime gjyqësore të formës së prerë.

