BDI: Për herë të parë që nga viti 2007, RTVM mbetet pa asnjë drejtor shqiptar

BDI: Për herë të parë që nga viti 2007, RTVM mbetet pa asnjë drejtor shqiptar

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka ngritur akuza ndaj koalicionit qeverisës VMRO-DPMNE–ZNAM–VLEN, duke pretenduar se zhvillimet e fundit në Radio Televizionin e Maqedonisë së Veriut (RTVM) përbëjnë një “kapje të plotë politike” të servisit publik.

Në reagimin e saj, BDI vlerëson se ndryshimet e fundit kanë cenuar pavarësinë, profesionalizmin dhe karakterin multietnik të RTVM-së. Sipas kësaj partie, pas emërimit të kontestuar të zëvendësdrejtorit të RTVM-së, situata është rënduar edhe më tej me humbjen e pozitës së drejtorit të Radios nga një kuadër shqiptar.

BDI pretendon se, për herë të parë që nga viti 2007, shqiptarët nuk kanë asnjë përfaqësues në nivelin e drejtorëve në RTVM, pavarësisht faktit se bëhet fjalë për një institucion publik që financohet nga qytetarët dhe që, sipas saj, duhet të reflektojë përbërjen multietnike të shtetit.

“Pas emërimit të kontestuar të zëvendësdrejtorit të RTVM-së, skandali është thelluar edhe më tej me faktin se shqiptarët kanë humbur edhe postin e drejtorit të Radios”, thuhet në reagimin e BDI-së.

Sipas partisë opozitare, për afro dy dekada ka funksionuar një praktikë institucionale ku, në rastet kur drejtori i përgjithshëm i RTVM-së ishte maqedonas, njëra nga pozitat kryesore drejtuese në Radio ose Televizion i takonte një kuadri shqiptar. BDI thekson se kjo, sipas saj, nuk ishte privilegj, por një mekanizëm për ruajtjen e balancës etnike dhe zhvillimin e barabartë programor.

BDI ka kritikuar edhe anëtarët shqiptarë të Këshillit Programor të RTVM-së, të cilët, sipas saj, nuk kanë kundërshtuar emërimin e drejtorit të ri të Radios. Partia i akuzon ata se me heshtjen e tyre kanë lejuar largimin e shqiptarëve nga pozitat vendimmarrëse në servisin publik.

Në reagim përmendet edhe çështja e emërimit të zëvendësdrejtorit të RTVM-së, për të cilin BDI pretendon se është bërë në kundërshtim me ligjin dhe kriteret e konkursit. Partia kërkon që institucionet kompetente të hetojnë këtë rast.

Sipas BDI-së, emërimet e fundit në RTVM janë udhëhequr nga kriteret politike dhe jo nga profesionalizmi. Ajo pretendon se servisi publik po rrezikon të shndërrohet në instrument të interesave qeveritare.

MARKETING