BDI: Në momentet e para të tragjedisë në Koçan, krerët e pushtetit nisën ndjekjen politike

BDI: Në momentet e para të tragjedisë në Koçan, krerët e pushtetit nisën ndjekjen politike

BDI përmes një komunikate thanë se: Kaluan shtatë ditë dhimbjeje, heshtjeje dhe solidariteti ditë kur e gjithë shoqëria iu përkul kujtimit të 59 jetëve të reja që u shuan në mënyrë tragjike, mes tyre edhe fëmijë, ndërsa qindra të tjerë mbetën të lënduar.

Nga atje thonë se për shkak të respektit kanë heshtur deri më tani.

“Që në momentin e parë të tragjedisë, ndërsa zjarri ende nuk ishte shuar, ndërsa qytetarët në shok kërkonin përgjigje dhe shpresë, pamë se si krerët e pushtetit në vend që të tregojnë dhembshuri nisën një ndjekje politike.

Në vend të informimit, dolën me akuza. Në vend të qetësisë, me kërcënime. Gishtin e drejtuan te tjetri, te e kaluara, te ata që nuk janë pjesë e tyre.

Pa pritur faktet, ata aktivizuan makinën e propagandës për zhvendosjen e fajit.

U ndërtua një narativ sipas cilës licenca e dhënë vite më parë e ka fajin dhe u bë bazë për arrestimin e një ish-ministri – me pranga, kamera dhe ballina gazetash.

Edhe pse të gjithë e dinë se licencat nuk janë të përhershme, nuk vazhdojnë automatikisht, të gjithë e dinë se kanë kaluar vite që kur kanë skaduar, dhe madje edhe ajo konkrete e falsifikuara kishte përfunduar tre ditë para tragjedisë.

Të gjithë e dinë se objekti ishte mbyllur nga Drejtoria e të Ardhurave Publike disa muaj më parë, dhe shumë shpejt më pas ishte rihapur në mënyrë të paligjshme.

Të gjithë e dinë se në objekt rregullisht kishte numër të tejkaluar vizitorësh, dhe se atë natë kishte mbi 650 persona në një hapësirë me kapacitet prej 300 vetash.

Të gjithë e dinë se objekti frekuentohej rregullisht nga të mitur, ashtu si edhe natën fatale, madje deri në orën 3 të mëngjesit.

Të gjithë e dinë se në ato mbrëmje përdorej rregullisht piroteknikë, dhe të gjithë e kishin të qartë se kjo bëhej pa leje nga policia, ashtu siç ishte përdorur piroteknika edhe natën e tragjedisë.

Dhe më e rëndësishmja, të gjitha institucionet lokale, nga policia te inspektoratet, e kishin ditur këtë, e kishin parë, por nuk kishin guxuar të reagojnë”, thonë nga BDI.

Nga atje shtojnë se nga kryetarë komunash, deputetë dhe kryetarë degësh të partive, e deri te inspektorë, komandantë dhe funksionarë, të gjithë ishin mysafirë të rregullt, në lidhje të ngushta me pronarin dhe ekipin e tij, të gjithë e kishin të qartë se pas këtij objekti qëndronin njerëz të fuqishëm që e mbronin, dhe për këtë arsye askush nuk duhej të bëjë pyetje.

MARKETING