BDI: Kontrata joligjore e monopolit privat serbo-bullgar të bixhozit i mundëson fitim mbi 100 milion Euro
Bashkimi Demokratik për Integrim sot përmes Konferencës për media shpalosi të dhëna, sic thonë ata, skandaloze për krimin më të madh në dekadën e fundit nëpërmjet të keqpërdorimit dhe shfrytëzimit të institucioneve.
“Dje zbuluam që monopoli i bixhozit në shtet i kontrolluar nga kompania private serbo-bulgare e ka finansuar drejtorin e ri të Lotarisë Klimovski me mbi 140.000€, ndërsa për vete kanë fituar mbi 100 milion Euro në kurriz të shtetit dhe qytetarëve. Këtë përfitim, kompania e preferuar serbo-bulgare e Izet Mexhitit dhe Arben Taravarit, e ka arritur me një Kontratë tërësisht joligjore.
Për një depozitë prej vetëm 1 milion eurosh, pa pëlqimin e Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës, kompanisë private serbo-bullgare i jepet monopoli, me mbrojtje shtetërore, dhe i mundësohet fitim prej mbi 100 milionë euro. Në kontratën e themelimit të shoqërisë tregtare nuk parashikohet as kohëzgjatja e kontratës dhe as mënyra e përfundimit të saj. Neni 17 i kontratës është plotësisht në kundërshtim me nenin 7 paragrafi 3 të Ligjit për lojërat e fatit. Gjegjësisht, Ligji e obligon Lotarinë Shtetërore të Republikës së Maqedonisë me rastin e themelimit të një shoqërie të tillë tregtare, jo vetëm të ketë shumicë në kapital prej së paku 51%, por edhe në vendimmarrje.
Neni 17 i Kontratës parashikon që një sërë vendimesh (si ato për shpërndarjen e fitimit, përzgjedhjen e anëtarëve të bordit mbikëqyrës dhe drejtues…), duke përfshirë edhe Vendimin për ndryshimin e marrëveshjes së themelimit të shoqërisë, merren me shumicë 100% të votave të partnerëve.
Me dispozitën e konceptuar në këtë mënyrë në Kontratë, Lotaria Shtetërore e Republikës së Maqedonisë jo vetëm që nuk ka shumicë në vendimmarrje dhe rrjedhimisht mungesë kontrolli për shkak të interesit publik, por i jep të drejtën e vetos kompanisë private serbo-bullgare.
Kjo është e paligjshme, dëmton buxhetin, shkel ligjin dhe duhet që të anulohet menjëherë si dhe të bartet përgjegjësi. Dhe, kur zbardhëm këto skandale marramendëse, në mbrojtje të kompanisë private serbo-bulgare doli, ashtu siç edhe e pritëm, VREDI.
Vredi dhe Izet Mexhiti bashkë me Arben Taravarin janë vënë në shërbim të plotë monopolit të kompanisë private serbo-bulgare dhe drejtorit të Lotarisë Aleksandar Klimovskit në industrinë e bixhozit sepse finansohen nga paratë e tyre.
Vredi i mashtroi shqiptarët, emëroi Amet Miftarin zëvendës drejtor në Lotari, nuk e mbylli asnjë kazino, bastore, slot klube, as edhe online lojërat e fatit, votoi kundër mbylljes së tyre në Kuvend dy herë rradhazi dhe vazhdon ti shërbejë verbësisht industrisë së bixhozit”, ka deklaruar deputeti i BDI-së, Arbër Ademi.