BDI kërkon dorëheqjen e drejtorit të Inspektoratit: Qyteti i Shkupit po shkel Ligjin për përdorimin e gjuhëve

BDI kërkon dorëheqjen e drejtorit të Inspektoratit: Qyteti i Shkupit po shkel Ligjin për përdorimin e gjuhëve

Nga BDI thonë se Qyteti i Shkupit brenda një dite dy herë e shkeli hapur detyrimin ligjor për përdorimin e gjuhës shqipe. Sipas BDI-së, Shkupi është qytet dygjuhësh dhe institucionet e tij kanë obligim të qartë ligjor që shqipja të përdoret në komunikimin zyrtar.

Përballë qytetarëve, përballë reagimit publik dhe përballë ligjit, Qyteti i Shkupit vazhdoi ta injorojë gjuhën shqipe, duke treguar përbuzje ndaj ligjit, ndaj shqiptarëve dhe ndaj karakterit shumetnik të kryeqytetit.

“Në këtë situatë, pyetja është e drejtpërdrejtë: ku është Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve? Ky institucion u krijua pikërisht për të evidentuar shkeljet, për të urdhëruar korrigjimin e tyre dhe për të shqiptuar masa ndaj institucioneve që nuk e zbatojnë ligjin. Për ngritjen e tij janë investuar vite pune, kuadro, trajnime dhe kapacitete institucionale. Sot, një drejtor i emëruar nga VLEN-i e ka paralizuar Inspektoratin dhe po hesht përballë shkeljeve flagrante”.

“Heshtja e Inspektoratit e inkurajon shkeljen e ligjit dhe e shndërron përjashtimin e gjuhës shqipe në praktikë institucionale. Kërkojmë dorëheqjen e menjëhershme të drejtorit të Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve; Përgjegjësi politike nga VLEN-i, i cili ka kapur dhe bllokuar funksionimin e këtij institucioni; Veprim të menjëhershëm ligjor ndaj të gjithë përgjegjësve që shkelin Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve dhe nxisin përçarje e urrejtje mbi baza etnike”, thonë nga BDI.

MARKETING