BDI i reagon VLEN-it për autostradën Shkup-Bllacë: Po flisni sipas logjikës kriminale të Mexhitit

BDI i reagon VLEN-it për autostradën Shkup-Bllacë: Po flisni sipas logjikës kriminale të Mexhitit

BDI i ka reaguar komunikatës së VLEN-it, në të cilën, ata thonë se reagimet e Integristëve për autosatradën Shkup-Bllacë, janë për shkak se autostrada nuk kalon në tokat e tyre.
Në reagimin e BDI-së, thuhet se kjo është mendësia politike e Izet Mexhitit.
“Njerëzit zakonisht gjykojnë të tjerët sipas vetes. Prandaj, kur dëgjojnë për një projekt strategjik, mendja u shkon menjëherë te parcelat, pronat, fitimet dhe interesat private.
Për Izet Mexhitin, i cili për dy dekada e ka trajtuar pushtetin si instrument për ndërtimin e rrjeteve të interesit, është e vështirë të kuptojë se dikush mund të mbrojë një autostradë sepse është e rëndësishme për qytetarët, për ekonominë dhe për lidhjen strategjike me Kosovën.
Në vend që të përgjigjet pse për gati dy vite projekti u zvarrit, pse u diskutua degradimi i tij nga autostradë në rrugë magjistrale dhe pse u rrezikua një korridor me rëndësi kombëtare, Izet Mexhiti zgjedh të shpikë teori konspirative për toka dhe interesa private.
Kjo është metoda e vjetër: kur mungojnë rezultatet, prodhohen akuza. Kur mungojnë argumentet, kryhen shpifje”, thuhet në komunikatën e BDI-së.
Sipas tyre qytetarët nuk presin shpifje por presin përgjigje pse u vonua projekti dhe pse u tentua ndryshimi i karakterit të tij.
“Dhe pse sot po paraqitet si sukses i VLEN-it një projekt që ishte projektuar, financuar dhe nisur shumë kohë para ardhjes së tyre në pushtet?
Sa herë që Izet Mexhiti flet për toka, prona dhe interesa private, ai në fakt flet për botëkuptimin e tij politik.
Nëse Vlen disponon prova për çfarë do veprimi të kundërligjshëm, le t’i dorëzojë ato në organet kompetente. Në të kundërtën, shpifjet publike mbeten vetëm një mjet për ta larguar vëmendjen nga mungesa e rezultateve dhe nga premtimet e pambajtura.
BDI do të vazhdojë të mbrojë interesin publik dhe projektet strategjike, ndërsa qytetarët do të gjykojnë vetë se kush po flet për autostrada dhe kush po flet për parcela”, thuhet në komunikatën e BDI-së.

MARKETING