BDI: 0 shqiptarë në shpërblimet shtetërore “8 Shtatori” – edhe suksesi i shqiptarëve po bëhet i padukshëm

BDI: 0 shqiptarë në shpërblimet shtetërore “8 Shtatori” – edhe suksesi i shqiptarëve po bëhet i padukshëm

Asnjë sportist apo trajner shqiptar nuk është përfshirë në mesin e të shpërblyerve me çmimet shtetërore “8 Shtatori”, ka reaguar Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), duke e cilësuar këtë si një tjetër rast të përjashtimit të shqiptarëve nga vlerësimet institucionale.

MARKETING

Description of image

BDI-ja akuzon institucionet se edhe këtë vit nuk kanë përfshirë asnjë emër shqiptar në listën e shpërblimeve, pavarësisht, siç thotë partia, kontributit të sportistëve shqiptarë në përfaqësimin e Maqedonisë së Veriut në arenën ndërkombëtare.

“0 shqiptarë. Asnjë sportist, asnjë trajner, asnjë emër shqiptar nuk u konsiderua i denjë për këtë vlerësim shtetëror”, thuhet në reagimin e BDI-së.

Nga partia theksojnë se bëhet fjalë për shpërblime që përfshijnë çmimin më të lartë për vepër jetësore, si dhe katër shpërblime financiare për arritje në sport.

Sipas BDI-së, mungesa e plotë e shqiptarëve në këtë listë ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si institucionet i vlerësojnë kontributet e sportistëve dhe trajnerëve shqiptarë.

“Cili është kriteri që i bën shqiptarët të padukshëm edhe kur bëhet fjalë për sport dhe arritje profesionale?”, pyet BDI-ja, duke e lidhur këtë çështje me premtimin e koalicionit VLEN për përfaqësim të drejtë dhe adekuat.

Partia kërkon që institucionet të publikojnë kriteret e përzgjedhjes, procedurën e ndjekur dhe përbërjen e komisionit që ka vendosur për laureatët e këtij viti.

“Sepse 0 shqiptarë nuk mund të jetë gjithmonë rastësi. Kur përjashtimi përsëritet, ai bëhet politikë”, thuhet në reagim.

BDI paralajmëron se nuk do të heshtë, siç shprehet, përballë asaj që e konsideron politikë të diskriminimit dhe të fshirjes së kontributit të shqiptarëve nga institucionet shtetërore.

MARKETING