Banka Botërore: Rritje prej 2,9 për qind të ekonomisë së Maqedonisë së Veriut, 3 për qind në vitin 2027 dhe 2028

Banka Botërore: Rritje prej 2,9 për qind të ekonomisë së Maqedonisë së Veriut, 3 për qind në vitin 2027 dhe 2028

Banka Botërore parashikon rritje të ekonomisë së Maqedonisë së Veriut prej 2,9 për qind për këtë vit, vlerë që është për 0,1 për qind më e ulët nga projektimi paraprak, si dhe prej 3 për qind në vitin 2027 dhe 2028.

Raporti i fundit i Bankës Botërore thotë se rritja ekonomike në vendet e Ballkanit Perëndimor do të vazhdojë të ngadalësohet në vitet 2026 dhe 2027. Arsyet kryesore janë konflikti në Lindjen e Mesme, inflacioni i vazhdueshëm dhe pasiguria globale në rritje. Gjithashtu thekson se, për shkak të mungesës në rritje të fuqisë punëtore, rritja e aktivitetit të popullsisë në tregun e punës do të jetë thelbësore.

Sipas raportit të rregullt ekonomik për rajonin, rritja mesatare ekonomike e Shqipërisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë në vitin 2026 do të jetë 2.8 përqind, që është 0.3 pikë përqindje më pak se parashikimet e mëparshme. Rritje e moderuar prej 3.2 përqind pritet në vitin 2027.

“Pasiguria globale dhe tensionet gjeopolitike po pengojnë rritjen në Ballkanin Perëndimor, dhe rritja e çmimeve po godet drejtpërdrejt portofolet e njerëzve”, tha Xiaoqing Yu, drejtoreshë e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor.

Ajo thekson se ndërsa qeveritë po zbatojnë masa fiskale afatshkurtra për të lehtësuar presionet mbi familjet dhe kompanitë, progresi afatgjatë varet nga krijimi i vendeve të reja të punës.

“Rajoni i Ballkanit Perëndimor ka një sasi të madhe potenciali të pashfrytëzuar – gra, të rinj dhe të tjerë që duan të punojnë, por përballen me pengesa reale në tregun e punës. Integrimi i tyre në fuqinë punëtore është një nga hapat më efektivë që rajoni mund të ndërmarrë për të forcuar ekonominë e tij”, tha Yu.

Raporti vëren se popullsia e rajonit po plaket më shpejt se në pjesën më të madhe të Evropës, me një në pesë persona mbi 65 vjeç në dekadën e ardhshme. Në të njëjtën kohë, popullsia që punon po kërkon gjithnjë e më shumë mundësi më të mira jashtë vendit, duke krijuar një paradoks – mungesë të fuqisë punëtore në sektorët kryesorë, ndërsa disa njerëz mbeten të papunë ose tërhiqen nga tregu i punës.

Përveç kësaj, theksohet se rajoni nuk po e përdor mjaftueshëm kapitalin e tij njerëzor. Nëse normat e aktivitetit do të silleshin në përputhje me ato në vendet e krahasueshme të BE-së, do të siguroheshin mbi 2.8 milionë punëtorë shtesë. Vetëm punësimi më i lartë i grave mund të rriste rritjen vjetore me rreth 0.35 pikë përqindje.

MARKETING