Autoritetet palestineze: Skela lundruese e SHBA-së në Gaza nuk ka arritur ta lehtësojë krizën humanitare

Autoritetet palestineze: Skela lundruese e SHBA-së në Gaza nuk ka arritur ta lehtësojë krizën humanitare

Skela lundruese amerikane në plazhin e Gazës nuk ka arritur të lehtësojë krizën humanitare të territorit, thanë autoritetet lokale, transmeton Anadolu.

“Kjo skelë është e padobishme”, tha në një deklaratë Salama Marouf, kreu i zyrës mediale të qeverisë së Gazës.

“Ndihmë humanitare prej 120 kamionësh është kanalizuar përmes skelës që kur është ndërtuar” në mes të majit, shtoi ai.

Zyrtari palestinez e cilësoi SHBA-në përgjegjëse për pasojat e krizës aktuale humanitare në Gaza.

Ai i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të veprojë menjëherë “për të siguruar hyrjen e ndihmave humanitare në të gjitha zonat e Rripit të Gazës”.

Të shtunën, Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) njoftoi rifillimin e shpërndarjes së ndihmave në Gaza përmes skelës së përkohshme, e cila u rivendos pasi u shpërbë në det të trazuar në fund të muajit të kaluar.

Izraeli ka vazhduar ofensivën e tij brutale në Gaza që nga sulmi i 7 tetorit nga grupi palestinez Hamas, pavarësisht nga një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon armëpushim të menjëhershëm.

Më shumë se 37.120 palestinezë janë vrarë që atëherë në Gaza, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, dhe mbi 84.700 të tjerë janë plagosur, sipas autoriteteve lokale shëndetësore.

Tetë muaj pas fillimit të luftës izraelite, pjesë të mëdha të Gazës janë në gërmadha, krahas një bllokade gjymtuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në vendimin e saj të fundit urdhëroi Tel Avivin të ndalojë menjëherë operacionin e tij në qytetin jugor të Rafahut, ku mbi një milion palestinezë kishin kërkuar strehim nga lufta përpara se të pushtohej më 6 maj.

MARKETING