ASH: VLEN premtoi se ish-ushtarët e UÇK-së nuk do të ndaloheshin më, çfarë ndodhi me atë marrëveshje
Aleanca për Shqiptarët ka reaguar pas ndalimit të mbrëmshëm të ish-pjesëtarit të UÇK-së, Fadil Pushkolli, nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut, në bazë të një urdhërarresti të lëshuar nga Serbia.
Nga ASH thonë se rasti kërkon një përgjigje të menjëhershme nga koalicioni VLEN, duke rikujtuar premtimet e bëra më herët lidhur me ndalimin e ish-pjesëtarëve të UÇK-së në kufijtë e Maqedonisë së Veriut.
“Më 15 mars 2025, Izet Mexhiti deklaronte publikisht se ishte arritur marrëveshje që ish-ushtarët e UÇK-së të mos ndaloheshin më në kufijtë e Maqedonisë së Veriut dhe premtonte një zgjidhje sistemore, ligjore dhe të përhershme. Një çerek shekulli në pushtet dhe në funksione publike, ndërsa Izet Mexhiti ende u flet shqiptarëve me premtime për ‘zgjidhje të përhershme’. Sot, realiteti po dëshmon diçka tjetër”, thuhet në reagimin e ASH-së.
Partia rikujton edhe rastet e mëparshme të ndalimit të ish-pjesëtarëve të UÇK-së, duke përmendur Blerim Ramadanin, i cili u arrestua në korrik të vitit 2024, si dhe Emin Bajramin, i ndaluar në shkurt të vitit 2025.
“Çfarë ndodhi me atë marrëveshje? Sepse ky nuk është rasti i parë. Blerim Ramadani u arrestua në korrik të vitit 2024. Emin Bajrami u ndalua në shkurt të vitit 2025. Sot kemi rastin e Fadil Pushkollit. VLEN duhet t’i tregojë opinionit publik se çfarë vlere kanë premtimet e tyre kur ish-pjesëtarë të UÇK-së vazhdojnë të përballen me fletëarreste të lëshuara nga Serbia në territorin e Maqedonisë së Veriut”, deklarojnë nga ASH.
Nga Aleanca për Shqiptarët kërkojnë nga institucionet kompetente transparencë të plotë për rastin e Pushkollit, respektimin e të drejtave të tij dhe sqarimin e bazës juridike mbi të cilën është bërë ndalimi.

