ASH: VLEN-i nga luftëtar kundër nepotizmit, në përfitues të tij

ASH: VLEN-i nga luftëtar kundër nepotizmit, në përfitues të tij

Aleanca për Shqiptarët (ASH) ka akuzuar koalicionin VLEN se po i përdor institucionet shtetërore për punësimin dhe emërimin e familjarëve të funksionarëve të saj, duke ngritur dyshime për nepotizëm dhe ndikim politik në emërimet e fundit.

Në një reagim për media, ASH vlerëson se VLEN, në vend që të merret me çështjet kryesore që prekin shqiptarët, po favorizon emërime familjare në institucione publike.

“VLEN-i institucionet shtetërore i ka shndërruar në zyra punësimi për familjarët dhe të afërmit e funksionarëve të vet. Në këmbim të posteve dhe privilegjeve, përfaqësuesit e tij heshtin për degradimin e pozitës së shqiptarëve, për gjuhën shqipe, për përfaqësimin e drejtë, për ligjin e lojërave të fatit, për provimin e jurisprudencës në shqip dhe për bllokimin e procesit eurointegrues”, thuhet në reagimin e ASH-së.

Si shembull të fundit, partia përmend deputeten dhe nënkryetaren e VLEN-it, Mimoza Musa. Sipas ASH-së, babai i saj, Arif Musa, edhe pse pensionist, është emëruar anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës Zhvillimore të Maqedonisë së Veriut.

ASH rikujton se Arif Musa, gjatë kohës kur ishte anëtar i Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, kishte mbrojtur standarde të rrepta lidhur me emërimet në institucionet publike.

“Ironia është se Arif Musa, si ish-anëtar i Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit, dikur kërkonte rishqyrtimin e emërimeve dhe rihapjen e konkurseve aty ku konstatohej nepotizëm. Sot, të njëjtat parime duhet të vlejnë edhe për të”, thuhet në reagim.

Në kumtesë përmendet edhe Nusret Haliti, për të cilin ASH pretendon se është nip i Arif Musës dhe aktualisht ushtron detyrën e drejtorit të Agjencisë për Komunikime Elektronike.

Sipas partisë, këto raste ngrenë pikëpyetje mbi transparencën dhe ligjshmërinë e procedurave të emërimit.

“Prandaj pyesim publikisht nëse ka pasur ndikim politik në këto emërime dhe nëse procedurat kanë qenë transparente dhe konkurruese”, deklaron ASH.

Në fund të reagimit, Aleanca për Shqiptarët akuzon VLEN-in se nuk ka përmbushur premtimet për luftimin e nepotizmit.

“VLEN-i nuk e luftoi nepotizmin. Vetëm priti radhën për të përfituar prej tij”, përfundon reagimi i ASH-së.

MARKETING