ASH: “One Stop Shop” është projekt bilateral, jo arritje partiake e VLEN-it
Aleanca për Shqiptarët (ASH) ka reaguar ndaj deklaratave të deputetit të VLEN-it, Bekim Qoku, i cili projektin “One Stop Shop” në pikën kufitare Qafë Thanë e ka paraqitur si një nga premtimet e realizuara të koalicionit të tij.
Përmes një komunikate të publikuar në Facebook, ASH thekson se projekti nuk është ide, premtim apo arritje e VLEN-it, por një nismë bilaterale mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, përgatitjet e së cilës kanë nisur që në vitin 2019.
Sipas partisë, marrëveshja ndërqeveritare për zbatimin e sistemit është nënshkruar më 14 nëntor 2022, ndërsa inaugurimi zyrtar është bërë më 31 korrik 2023, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve institucionalë të të dyja vendeve.
“Flasim për një projekt bilateral mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, jo për një projekt partiak. VLEN nuk ka qenë as iniciator, as propozues dhe as bartës i këtij procesi”, thuhet në reagimin e ASH-së.
Nga kjo parti vlerësojnë se nuk është e drejtë që meritat për projekte të nisura dhe të realizuara nga institucione shtetërore t’i atribuohen një subjekti politik. Ata i bëjnë thirrje VLEN-it të prezantojë projektet dhe rezultatet e veta konkrete gjatë periudhës së qeverisjes.
Në komunikatë, ASH ngre edhe çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe në pjesën praktike të provimit të jurisprudencës, duke kërkuar zbatim të ligjit dhe mundësi të barabarta për studentët shqiptarë.
Partia adreson gjithashtu kritika ndaj VLEN-it për, siç pretendohet, mungesë të rezultateve konkrete në përfaqësimin e shqiptarëve në institucione, në sektorin e shëndetësisë, arsimit të lartë dhe administratës publike.
Në fund, ASH vlerëson se qytetarët kanë nevojë për përfaqësues që realizojnë premtime dhe zgjidhin problemet e tyre, duke shtuar se përvetësimi i meritave për projekte të nisura më herët nuk mund të zëvendësojë rezultatet konkrete në qeverisje.

