ASH: Nga 549 policë të rinj vetëm 40 shqiptar, VLEN po na kthen prapa me përfaqësimin në MPB
Aleanca për Shqiptarët shpreh shqetësim serioz për të dhënat e bëra publike lidhur me përfaqësimin e shqiptarëve në Ministrinë e Punëve të Brendshme, një nga institucionet ku parimi i përfaqësimit të drejtë dhe adekuat duhet të zbatohet në mënyrë të plotë dhe të pakontestueshme.
Sipas të dhënave të publikuara, nga 549 policë të rinj të pranuar, më pak se 40 janë shqiptarë, apo rreth 7 për qind. Po ashtu, është bërë publike se nga 30 policë të dekoruar si më të mirët, vetëm një është shqiptar.
Në të njëjtën kohë, MPB më 31 korrik ka njoftuar zyrtarisht se 496 kandidatë kanë përfunduar me sukses trajnimin bazë dhe i janë bashkuar policisë, por pa publikuar strukturën etnike të tyre.
Kjo mospërputhje e shifrave dhe mungesa e të dhënave zyrtare për përkatësinë etnike e bëjnë edhe më të domosdoshme transparencën e menjëhershme të Ministrisë.
Nëse të dhënat e bëra publike nuk janë të sakta, MPB duhet t’i përgënjeshtrojë me fakte. Nëse janë të sakta, atëherë kemi të bëjmë me një prapakthim alarmant të përfaqësimit të shqiptarëve në një nga institucionet më të rëndësishme të shtetit.
Aleanca për Shqiptarët kërkon nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe nga zëvendësministri shqiptar nga radhët e VLEN-it që të publikojnë menjëherë strukturën etnike të pranimeve të fundit në polici, të sqarojnë kriteret e përdorura gjatë përzgjedhjes dhe dekorimeve dhe të garantojnë respektimin konsekuent të parimit të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat në të gjitha nivelet e MPB-së.
VLEN-i nuk mund të heshtë përballë shifrave të tilla. Ata që premtuan dinjitet dhe përfaqësim për shqiptarët sot kanë përgjegjësi institucionale dhe duhet të japin përgjigje se çfarë po ndodh me përfaqësimin e shqiptarëve në polici.
Aleanca për Shqiptarët nuk do të lejojë që përfaqësimi i shqiptarëve në institucionet shtetërore të kthehet prapa. Përfaqësimi i drejtë dhe adekuat nuk është privilegj dhe as favor politik, por parim kushtetues që duhet respektuar.

