ASH: Mbështesim votën e diasporës, por kërkojmë barazi të plotë të votës

ASH: Mbështesim votën e diasporës, por kërkojmë barazi të plotë të votës

Aleanca për Shqiptarët (ASH) deklaron se gjithmonë ka mbështetur të drejtën e diasporës për të votuar, por kundërshton mënyrën se si, sipas saj, pushteti po e prezanton këtë çështje para opinionit publik.

Në një kumtesë për media, partia thekson se nuk është kundër votës së diasporës dhe se mbështet si votimin elektronik, ashtu edhe votimin me postë.

“Ne nuk jemi kundër votës së diasporës. Mbështesim si votimin elektronik, ashtu edhe votimin me postë. Por jemi kundër çdo forme manipulimi me diasporën”, deklaroi deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe.

Sipas tij, ekziston një dallim i madh mes të drejtës për të votuar dhe të drejtës për të pasur një votë me peshë të barabartë.

“Nëse diaspora është pjesë e këtij shteti, duhet t’i gëzojë të drejta të plota. Mos ta përdorni vetëm si slogan politik, vetëm kur ju duhen votat. Mos i trajtoni si qytetarë të dorës së dytë”, u shpreh Snopçe.

ASH ngre edhe çështjen e peshës së votës së diasporës, duke kërkuar që ajo të ketë të njëjtën vlerë si vota e qytetarëve që jetojnë në Maqedoninë e Veriut.

“Sot pushteti flet për votën e diasporës, por hesht për pyetjen më të rëndësishme: A do të ketë vota e diasporës të njëjtën peshë si vota e qytetarit që jeton në Maqedoninë e Veriut?”, thuhet në reagim.

Sipas Aleancës për Shqiptarët, nëse diaspora do të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare, vota e saj duhet të ndikojë plotësisht në përbërjen e Kuvendit dhe jo të shërbejë vetëm si një instrument propagandistik që krijon iluzionin e pjesëmarrjes pa garantuar barazinë e votës.

MARKETING