ASH: Asnjë shqiptar mes 13 mësimdhënësve më të mirë, kërkohet transparencë nga Ministria e Arsimit
Aleanca për Shqiptarët ka ngritur shqetësime lidhur me atë që e cilëson si një proces tendencioz dhe diskriminues në vlerësimin dhe përzgjedhjen e punonjësve shqiptarë në institucionet shtetërore.
Në reagimin e fundit, ASH i është referuar përzgjedhjes në nivel vendi të 13 mësimdhënësve të shpallur më të mirët për vitin shkollor 2025/2026 nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, duke theksuar se në listë nuk figuron asnjë mësimdhënës shqiptar.
“Nga 13 mësimdhënësit e shpallur më të mirët për vitin shkollor 2025/2026, asnjë nuk është shqiptar. Asnjë! Madje, në listë ka mësimdhënës nga Tetova dhe Gostivari, qytete me mijëra nxënës, mësues dhe profesorë shqiptarë, por për Ministrinë nuk u gjet asnjë mësimdhënës shqiptar që meriton të jetë mes më të mirëve”, thuhet në komunikatën e ASH-së.
Sipas kësaj partie, fakti që në listën e të përzgjedhurve nuk është përfshirë asnjë shqiptar ngre pikëpyetje mbi kriteret dhe mënyrën e vlerësimit.
ASH vlerëson se, nëse shqiptarët mungojnë në mënyrë të përsëritur nga listat e të përzgjedhurve, të shpërblyerve dhe të avancuarve, atëherë kjo parti e konsideron situatën si një çështje që kërkon sqarim institucional.
Në komunikatë, ASH i referohet edhe një rasti tjetër të fundit, duke përmendur pranimin e 310 nxënësve në Shkollën e Mesme të Policisë, ku, sipas partisë, vetëm nëntë prej tyre kanë qenë shqiptarë.
“Vetëm pak ditë më parë pamë se nga 310 nxënës të pranuar në Shkollën e Mesme të Policisë, vetëm 9 rezultuan shqiptarë. Sot kemi 13 mësimdhënës të shpërblyer dhe përsëri zero shqiptarë”, thekson ASH.
Përballë këtyre të dhënave, Aleanca për Shqiptarët kërkon nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës që të publikojë kriteret e përzgjedhjes, pikët e të gjithë kandidatëve, si dhe përbërjen e komisionit që ka marrë vendimin për ndarjen e mirënjohjeve.
ASH gjithashtu u drejton një pyetje përfaqësuesve shqiptarë në Qeveri, duke kërkuar të dijë se deri kur do të heshtin, sipas saj, përballë rasteve që kjo parti i konsideron si përjashtim të shqiptarëve nga institucionet shtetërore.
“Shqiptarët nuk kërkojnë dhurata dhe as privilegje. Kërkojnë vetëm një shtet që i sheh, i vlerëson dhe i trajton njësoj. Dhe ata që përfaqësojnë shqiptarët në këtë Qeveri duhet të përgjigjen se deri kur do të heshtin para një përjashtimi që po përsëritet nga institucioni në institucion”, përfundon komunikata e ASH-së.

