Arrestohen tre persona për dhunën ndaj një 14-vjeçari në Hasanbeg
Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka ngritur kallëzim penal ndaj tre personave nga Shkupi, të dyshuar për veprën penale “dhunë ndaj fëmijës”, pasi dyshohet se kanë sulmuar fizikisht një të mitur 14-vjeçar.
Sipas MPB-së, ngjarja ka ndodhur më 22 qershor 2026, rreth orës 23:50, në një park në rrugën “Finska” në Shkup. Të dyshuarit, J.J. (19), V.S. (23) dhe V.A. (19), dyshohet se e kanë sulmuar të miturin duke përdorur një mjet të fortë, ndërsa me një mjet të mprehtë i kanë shkaktuar lëndime.
Policia ka kryer këqyrjen në vendin e ngjarjes, ku është gjetur dhe sekuestruar thika që dyshohet se është përdorur gjatë sulmit. Mjeti është dërguar për ekspertizë.
Pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore, tre të dyshuarit janë arrestuar dhe me ta është zhvilluar bisedë zyrtare.
Nga Sektori për Punë të Brendshme në Shkup bëjnë të ditur se kundër tyre është paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike Shkup për veprën penale “dhunë ndaj fëmijës”, sipas nenit 201-a të Kodit Penal.

