Argjentinë, persona të armatosur me një mesazh kërcënues për Lionel Messin

Argjentinë, persona të armatosur me një mesazh kërcënues për Lionel Messin

Persona të armatosur shkrepën disa plumba në dyqanin në pronësi të vjehrrit të Lionel Messit, ndërsa duke ikur i lanë një mesazh kërcënues superyllit argjentinas, raporton Anadolu.

Sulmi kishte në shënjestër një supermarket në qytetin e lindjes të Messit, Rosario, i cili ndodhet rreth 320 kilometra në veriperëndim të kryeqytetit Buenos Aires.

“Messi, ne po të presim. Javkin është një narko, ai nuk do të kujdeset për ty”, thuhej në mesazhin e shkruar me dorë të cilin e lanë para supermarketit, duke iu referuar Pablo Javkin, kryebashkiakut të Rosarios.

Policia tha se dy burra me një motoçikletë shkrepën 14 plumba në supermarketin “Unico” në pronësi të familjes së gruas së Messit, Antonella Roccuzzo.

Pronarët thanë se nuk kishin pasur ndonjë thirrje për zhvatje apo ndonjë kërcënim tjetër.

Javkin për sulmin fajësoi krimin në rritje që lidhet me drogën në qytetin e tretë më të populluar të Argjentinës. Ai u ankua se policia më nuk po lufton trafikun e drogës dhe se numri i forcave federale nuk është i mjaftueshëm.

Kryebashkiaku tha se një nga prioritetet e tij kryesore do të jetë mbrojtja e familjes Roccuzzo.

Ministri i Sigurisë së Argjentinës, Anibal Fernandez tha se sulmi tregon se “trafikantët e drogës kanë fituar”, duke pranuar se “kjo gjendje ka vazhduar për 20 vjet”.

Ai shtoi se qeveria ka dërguar më shumë se 3.000 pjesetarë të sigurisë federale për të luftuar krimin në Rosario.

As Messi dhe as gruaja e tij nuk kanë komentuar sulmin.

Çifti jeton në Paris, ku Messi luan për klubin francez Paris Saint-German, por fituesi i Kupës së Botës ka angazhime me skuadrën e kombëtares në fund të këtij muaji.

MARKETING