Arbër Ademi: Heqja e tabelave në gjuhën shqipe në vendkalimet kufitare është shkelje e ligjit dhe diskriminim institucional
Sekretari i Përgjithshëm i BDI-së, Arbër Ademi, ka reaguar lidhur me heqjen e mbishkrimeve në gjuhën shqipe nga një vendkalim kufitar, duke ngritur pyetjen nëse në Maqedoninë e Veriut funksionon shteti ligjor dhe nëse ligjet zbatohen në mënyrë të barabartë për të gjithë qytetarët.
Në një reagim publik, Ademi thekson se nuk dëshiron të polemizojë me zyrtarët e VLEN-it, por t’u drejtohet qytetarëve me pyetjen nëse ligjet vlejnë njësoj për të gjithë apo zbatohen vetëm kur i konvenojnë pushtetit.
Në vijim shkrimi i plotë i Ademit:
A ka shtet ligjor në Maqedoninë e Veriut apo s’ka fare?
Sot nuk e ndiej të nevojshme të polemizoj me asnjë zyrtar të VLEN-it. Nuk është vetëm çështjeje politike, nuk është vetëm çështjeje e sundimit të ligjit, por është përtej gjithë kësaj. Prandaj e ndiej obligim t’u drejtohem qytetarëve të këtij vendi, përfshirë edhe votuesve të VLEN-it, me një pyetje të thjeshtë: A vlejnë ligjet njësoj për të gjithë, apo zbatohen dhe shkelen vetëm kur i konvenojnë pushtetit?
Shumë herë deri më sot e kemi thënë se Ligji për Përdorimin e Gjuhëve është ligj special (lex specialis). Kjo do të thotë se, për çështjet që rregullon, ai ka përparësi ndaj ligjeve të tjera.
Konkretisht për çështjen e tabelës shtetërore të vendosur sot, neni 16, paragrafi 2, është krejtësisht i qartë: në vendkalimet kufitare dhe aeroportet që ndodhen në rajonet ku së paku 20% e qytetarëve flasin gjuhë tjetër nga maqedonishtja, emërtimet, mbishkrimet dhe udhërrëfyesit vendosen edhe në atë gjuhë. Ligji nuk flet për njësinë e vetëqeverisjes lokale, por për rajonin, dallim thelbësor që nuk mund të shpërfillet apo të interpretohet sipas interesit politik të ditës.
Po aq i qartë është edhe neni 23, paragrafi 5, i cili përcakton se, nëse dispozitat e këtij ligji nuk harmonizohen me dispozitat gjuhësore të një ligji tjetër, organet shtetërore janë të detyruara të zbatojnë dispozitat e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Kjo nuk është çështje interpretimi politik; është detyrim ligjor. Është detyrim ligjor!!!
Prandaj shtrohet pyetja: Si është e mundur që deri para formimit të kësaj qeverie tabelat në vendkalimin kufitar të ishin edhe në gjuhën shqipe, ndërsa sot nuk janë? Çfarë ka ndryshuar? Ligji nuk ka ndryshuar. Atëherë, a ka ndryshuar vetëm vullneti për ta zbatuar ligjin?
Kur një e drejtë që është zbatuar për vite hiqet pa ndryshuar ligji, kemi të bëjmë me një veprim që përbën shkelje të ligjit dhe diskriminim institucional. Dhe kur përfaqësues të institucioneve përpiqen ta arsyetojnë një gjendje të tillë, në vend që të kërkojnë zbatimin e ligjit, atëherë lind një shqetësim edhe më i madh për funksionimin e shtetit ligjor. Për çfarë jeni aty ku jeni? Për të heshtur? Për të arsyetuar çdo politikë të dëmshme edhe kur e njëjta është në kundërshtim me ligjin?
Mosni vllezër e motra. Mosni se nuk ia vlen!



