Arabia Saudite nis astronauten e parë grua në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor

Arabia Saudite nis astronauten e parë grua në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor

Autoritetet e Arabisë Saudite njoftuan se do të dërgojnë astronauten e tyre të parë femër në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor gjatë tremujorit të dytë të këtij viti, transmeton Anadolu.

Komisioni saudit i Hapësirës në një deklaratë tha se Rayyanah Barnawi dhe Ali Al Qarni do t’i bashkohen ekuipazhit të misionit hapësinor AX-2 me qëllim të forcimit të aftësive të vendit në fluturimet në hapësirë me qëllim që t’i shërbejnë njerëzimit.

Gjithashtu theksohet se misioni hapësinor do të niset nga SHBA-ja. Programi i fluturimeve në hapësirë të Arabisë Saudite përfshin trajnimin e dy astronautëve të tjerë, Mariam Fardous dhe Ali Al Ghamdi.

Vendet e Gjirit po tregojnë një interes në rritje për eksplorimin e hapësirës.

Në dhjetor të vitit të kaluar, eksploruesi i hapësirës nga Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), Rashid Rover u nis për në Hënë me një anije kozmike japoneze në një mision pesë-mujor.

Në shtator, Komisioni saudit i Hapësirës nisi një program astronautësh, me qëllim trajnimin e personelit saudit për fluturime hapësinore me kohëzgjatje të gjatë dhe të shkurtër dhe pjesëmarrje në ekspedita shkencore dhe misione të ardhshme.

MARKETING