Anijet turke mund të furnizojnë Ukrainën me energji elektrike

Anijet turke mund të furnizojnë Ukrainën me energji elektrike

Sulmet e Rusisë kundër Ukrainës po vënë në shënjestër gjithnjë e më shumë popullsinë civile dhe infrastrukturën e energjisë elektrike të vendit, një përpjekje kjo që synon të thyejë vullnetin e popullit ukrainas. Por, siç raporton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Dorian Jones nga Stambolli, anije të mëdha nga Turqia mund të ndihmojnë për të penguar qëllimin e Rusisë.

Sulmet e fundit të Rusisë ndaj civilëve ukrainas nuk shkatërrojnë vetëm shtëpitë. Rrugët e Ukrainës janë zhytur vazhdimisht në errësirë pasi forcat ruse godasin pamëshirshëm infrastrukturën energjetike.

“Ajo që po shohim është përpjekja për të vrarë sa më shumë ukrainas, duke krijuar kushte të padurueshme për jetë, pa energji elektrike, ngrohje dhe ujë”, thotë Petro Burkrovskiy nga Fondacioni i Iniciativave Demokratike.

Kompania turke “Karpowerships” thotë se mund të ndihmojë në zbutjen e krizës energjetike të Ukrainës. Anijet e saj funksionojnë në mbarë botën, duke përfshirë zona në krizë si Bejruti dhe mund të furnizojnë miliona shtëpi me energji elektrike.

“Ne kemi qenë në kontakt me kompaninë kombëtare të energjisë së Ukrainës nga gushti i vitit të kaluar dhe gjithashtu me qeverinë lokale në Odesa. Ne mund të dërgojmë anije që prodhojnë 300 megavat energji elektrike në porte të ndryshme në Odesa dhe 100 megavat prej tyre do furnizonin portin e Odesës, ndërsa pjesa tjetër do të furnizonin objektet e banimit përreth”, sqaron Zeynep Harezi Yilmaz nga kompania “Karpowership”.

Kjo do ndihmonte pasi sulmet ruse vazhdojnë të sulmojnë infrastrukturën energjetike të Ukrainës.
“Aktualisht, problemi më i madh i sistemit energjetik të Ukrainës është mungesa e prodhimit pasi shumë termocentrale dhe hidrocentrale u dëmtuan ose u shkatërruan. Fatkeqësisht ne nuk mund të mbulojmë konsumin. Kjo është arsyeja pse kemi këto ndërprerje të energjisë elektrike në të gjithë vendin”, thotë për Zërin e Amerikës, udhëheqësi i kompanisë shtetërore të energjisë elektrike të Ukrainës, Volodymyr Kudrytskyi.

Ankaraja vazhdon të ketë marrëdhënie të mira me Moskën, por është e paqartë nëse kjo garanton siguri për anijet turke që prodhojnë energji elektrike. Një zgjidhje për këtë çështje ende po kërkohet.

“Jemi në komunikim me palë të ndryshme, përfshirë ato nga SHBA dhe gjithashtu me autoritetet e Moldavisë dhe autoritetet rumune për të vlerësuar gjithashtu mundësinë e vendosjes së anijeve në Rumani ose Moldavi dhe prej atje të dërgojmë energji elektrike në Ukrainë” , sqaron më tej, Zeynep Harezi Yilmaz nga “Karpowership”.

Kompania turke thotë se disa anije të saj janë afër Ukrainës dhe brenda 30 ditësh mund të fillojnë ta furnizojnë vendin me energji elektrike.

Por, pagesa për këtë shërbim mund të jetë pengesa më e madhe.

“Çështja është se kush do të paguajë për këto shërbime, qeveria ukrainase apo një agjenci ndërkombëtare, kështu që këto detaje nuk janë të qarta”, tha Petro Burkovskiy nga Fondacioni i Iniciativave Demokratike. Ukraina nuk ka kohë të presë pasi parashikohet që forcat ruse do shtojnë sulmet ndaj infrastrukturës së Ukrainës, pikërisht në kohën kur përkeqësohet moti./VOA

MARKETING