Angellov: Dy zjarre janë aktive në hapësira të hapura, gjendja me ujin në Gostivar po përmirësohet
Gjatë ditës së sotme janë regjistruar pak më shumë se pesë zjarre në hapësira të hapura, por asnjëri prej tyre nuk përbën kërcënim serioz dhe pritet të vihet nën kontroll së shpejti, deklaroi drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH), Stojançe Angellov, në një video deklaratë nga terreni.
Siç informoi ai, dje janë shuar më shumë se 25 zjarre në hapësira të hapura, ndërsa më kompleksi ishte zjarri në territorin e Komunës së Makedonski Brodit, në afërsi të Samokovit.
“Zjarri hyri në një terren të vështirë për t’u aksesuar, ku ndërhynë një numër i madh zjarrfikësish nga Makedonski Brod dhe tre pincgauerë nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim. Goditjen përfundimtare zjarrit ia dha shiu që ra në këtë zonë dje pasdite”, shpjegoi Angellov.
Ai theksoi se një zjarr më i madh u regjistrua edhe dje në Komunën e Novacit, ku u dogj një sipërfaqe më e madhe toke e sheshtë. Falë ndërhyrjes së zjarrfikësve, vetëqeverisjes lokale dhe fermerëve që ndihmuan me mekanizim, zjarri u ndal dhe u shua.
Sipas informacioneve të Qendrës për Menaxhim me Kriza (QMK), deri në orën 13:00 të sotme, në territorin e vendit janë regjistruar gjithsej gjashtë zjarre në hapësirë të hapur, nga të cilat dy janë aktive dhe katër janë shuar.
Zjarret janë aktive në afërsi të fshatit Bërnjarc në Komunën e Haraçinës dhe në vendbanimin Vollkovë në Komunën e Gjorçe Petrov, ku digjet bimësi e ulët. Zjarret në fshatin Banjicë në Komunën e Çashkës, fshatin Bidzevë në Komunën e Strugës, fshatin Senakos në Komunën e Vrapçishtit dhe në deponinë në Dellçevë janë shuar, informoi QMK.

