Ambasadori turk në vend, Fatih Ulusoy: Kjo tragjedi është një dhimbje e madhe për Maqedoninë e Veriut

Avioni-ambulancë i dërguar nga Ministria e Shëndetësisë së Turqisë ka zbritur në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit për të transportuar në Stamboll tre persona të plagosur në zjarrin tragjik.
Ambasadori i Turqisë në Shkup, Fatih Ulusoy, në një deklaratë për agjencinë AA, kujtoi se në zjarrin e ndodhur në Koçan humbën jetën 59 persona dhe u plagosën 155 të tjerë.
Ulusoy theksoi se autoritetet e Maqedonisë së Veriut i kërkuan Turqisë që disa prej të plagosurve që janë në gjendje të rëndë shëndetësore të dërgohen për trajtim në Turqi. Ai shtoi se falë udhëzimeve të Presidentit Rexhep Tajjip Erdoğan, çështja u zgjidh menjëherë.
“Avioni ambulancë i dërguar nga Ministria jonë e Shëndetësisë aktualisht po transporton tre të rinj të plagosur drejt vendit tonë. Sonte ata do të shtrihen në spitalin Çam dhe Sakura në Stamboll,” deklaroi Ulusoy.
Ai gjithashtu njoftoi se një avion tjetër ambulancë, nga Ministria e Mbrojtjes, është rrugës dhe do të transportojë gjashtë të plagosur të tjerë drejt Spitalit Universitar Bilkent në Ankara.
“Ekipet e Ministrisë sonë të Shëndetësisë kanë vepruar me shumë shpejtësi për të bërë të gjitha përgatitjet. Jemi në kontakt të ngushtë me autoritetet e Maqedonisë së Veriut. Kjo është një tragjedi e madhe për Maqedoninë e Veriut dhe ne e ndjejmë thellësisht këtë dhimbje. Humbja e jetëve të të rinjve të pafajshëm në një ngjarje të tillë na ka tronditur të gjithëve. Shprehim ngushëllimet tona për popullin mik të Maqedonisë së Veriut dhe urojmë shërim të shpejtë për të lënduarit,” tha Ulusoy.
Ai kujtoi gjithashtu se edhe Ministria e Jashtme e Turqisë ka lëshuar një deklaratë në lidhje me ngjarjen tragjike dhe se autoritetet turke do të ndjekin nga afër trajtimin e të plagosurve të dërguar në Turqi.
Ulusoy bëri të ditur se mes të plagosurve ka edhe një bashkëkombas dhe shtoi se do ta vizitojnë atë këtë mbrëmje.
Duke theksuar se Turqia është gjithmonë në krah të Maqedonisë së Veriut, Ulusoy deklaroi: “Ne jemi gjithmonë të gatshëm të mobilizojmë të gjitha resurset tona për popullin mik dhe vëlla maqedonas dhe për të gjitha komunitetet që jetojnë këtu. Me udhëzimet e Presidentit tonë, sot i kemi vënë menjëherë në dispozicion të gjitha mundësitë tona.”
Në zjarrin që shpërtheu në orët e mëngjesit në një klub nate në qytetin Koçani, humbën jetën 59 persona dhe u plagosën 155 të tjerë. Qeveria e Maqedonisë së Veriut njoftoi se për shkak të kësaj ngjarjeje, në vend do të shpallet 7 ditë zie kombëtare duke nisur nga nesër.