(VIDEO) Albulena Haxhiu i kërkoi Listës Serbe të mos përdor termin jokushtetues “populli serb”
Albulena Haxhiu është zgjedhur sërish kryetare e Kuvendit të Kosovës, një post që ia mundëson të vazhdojë të ushtrojë edhe detyrën e presidentes së vendit. Pro saj votuan 62 deputetë, 16 kundër, ndërsa abstenim ishin 13 vota. Ndërkohë, kryetarja Haxhiu, e ka shtyrë për të premten vazhdimin e seancës për konstituimin e Kuvendit, duke thënë se “nuk ka vota për nënkryetarët pa një marrëveshje paraprake” për mënyrën e votimit. Gjatë kësaj seance Haxhiu pati replikë me deputetët e Listës Serbe, të cilët e përdorën shprehjen “në emër të popullit serb”.
ALBULENA HAXHIU, KRYETARE E KUVENDIT TË KOSOVËS
Haxhiu vendosi ta shtyjë seancën për të premten në orën 11:00, pasi deputeti i Listës Serbe, Igor Simiq, nuk e tërhoqi fjalinë “në emër të popullit serb”.
Se çfarë ndodhi në këtë rast një shpjegim e ka dhënë edhe kryeministri Albin Kurti.
ALBIN KURTI, KRYEMINISTËR I KOSOVËS
“Pra, propozimin me shkrim që e ka bërë kur ka kërkuar që nënkryetarë i Kuvendit nga radhët e Listës Serbe të jetë Slavko Simiq e ka shkruar në përputghje me Kushtetitën por atë çfarë e deklaroi ai ishte në shpërputhje flagrante. Nuk e di, dikush nga grupi parlamentar tha që kjo mund të jetë edhe në kuadër të euforisë së tij nga varrimi i Ratko Mlladiqit, i komandantit e gjeneralit që masakroi boshnjakët në Srebrenicë që u nderua nga shteti serb dhe nga kisha Ortodokse Serbe”
Kurti ka deklaruar gjithashtu se për përmbylljen e suksesshme të konstituimit të Kuvendit nevojitet dakordim për zgjedhjen e nënkryetarëve. Ai ka bërë të ditur se është në kontakt me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, ndërsa ka thënë se i ka shkruar edhe kryetarit të PDK-së, Bedri Hamzës, me qëllim që të takohen dhe të arrijnë dakordim për zgjedhjen e nënkryetarëve.
Konstituimi i Kuvendit të ri do t’i hap rrugë formimit të qeverisë së re dhe zgjedhjes së presidentit të ri. Lëvizja Vetëvendosje i ka votat për Kuvendin dhe qeverinë e re, por jo edhe për presidentin. Mungesa e dakordimit politik për presidentin ka qenë në qendër të krizës politike këtë vit dhe mund të shkaktojë sërish zgjedhje të reja. /SHENJA/

