Aliu për tabelën vetëm në maqedonisht: Nëse nuk është ndryshuar, do të korrigjohet
Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, në emisionin “Debat në SHENJA”, komentoi edhe inaugurimin e një institucioni publik, ku tabela zyrtare ishte vendosur vetëm në gjuhën maqedonase.
Aliu tha se kishte marrë pjesë në ceremoninë në fjalë si i ftuar nga një institucion i pavarur dhe se protokolli i ministrisë nuk kishte pasur mundësi ta shqyrtonte paraprakisht çështjen e tabelës, pasi ajo kishte qenë e mbuluar gjatë aktivitetit.
“Si do që të jetë, unë kam qenë në një ceremoni që kam qenë i ftuar nga një institucion i pavarur që thjeshtë as protokolli ynë nuk e ka parë dhe nuk ka pasur edhe mundësi. Ka qenë e mbuluar kjo tabelë. Dihet që ligjet duhet të respektohen në shtetin tonë. Gjuha shqipe është gjuhë që duhet të jetë gjithandej ku është gjuha maqedone në Shkup, pasi janë 20 përqind të shqiptarëve. Kështu që ajo tabelë nëse nuk është ndërruar besoj që do të ndryshon. Por ama ky dëm është shumë i vogël sesa dëmi që e ka bërë BDI-ja me 22 vjet me gjuhën shqipe duke abuzuar”, deklaroi Aliu.

