Albin Kurti pret Zijadin Selën, bisedojnë edhe për zhvillimet në Maqedoninë e Veriut
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim kryetarin e Lidhjes Shqiptare dhe deputetin në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, Zijadin Selën.
Sipas njoftimit të Qeverisë së Kosovës, Kurti i uroi mirëseardhje Selës në Prishtinë dhe e falënderoi për vizitën.
“Në takim u diskutua lidhur me zhvillimet dhe aktualitetet në Kosovë, me theks përgatitjet për procesin e konstituimit të legjislaturës së njëmbëdhjetë të Kuvendit të Republikës, formimin e Qeverisë së re dhe zgjedhjen e presidentit ose presidentes.
Po ashtu, krahas zhvillimeve dhe aktualiteteve në Maqedoninë e Veriut, temë e takimit ishin projektet e rëndësishme infrastrukturore ndërmjet dy shteteve, si rruga Prizren–Tetovë dhe ajo Bllacë–Shkup”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.

