Rusia dhe Ukraina shkëmbejnë sulme me dronë, të paktën dy të vrarë dhe 20 të plagosur
Rusia dhe Ukraina kanë shkëmbyer sulme me dronë të shtunën, duke shkaktuar vdekjen e të paktën dy personave dhe plagosjen e 20 të tjerëve, njoftuan zyrtarë nga të dyja palët, transmeton Anadolu.
Në pjesën e rajonit ukrainas të Zaporizhzhias që kontrollohet nga Rusia, një dron ukrainas ka goditur një automjet në pronësi të një spitali, duke vrarë dy persona dhe plagosur dy të tjerë, njoftoi Ministria e Shëndetësisë e rajonit, e emëruar nga Rusia, përmes aplikacionit të mesazheve Max.
Në rajonin e Bryanskut, një dron ukrainas ka goditur një autobus të një kompanie, duke plagosur nëntë persona, tha guvernatori Egor Kovalchuk në Telegram. Një tjetër dron ka goditur një objekt industrial, duke plagosur një person, shtoi ai.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha se sistemet e saj të mbrojtjes ajrore kanë interceptuar dhe shkatërruar 1.246 dronë ukrainas me krahë fiksë gjatë natës. Forcat Ajrore të Ukrainës thanë se Rusia ka lëshuar 162 dronë sulmues, nga të cilët 141 janë rrëzuar ose neutralizuar. Lufta në vazhdim e bën të vështirë verifikimin e pavarur të pretendimeve të të dyja palëve.
Forcat ruse kanë kryer më shumë se 20 sulme me dronë në katër rrethe të rajonit ukrainas të Dnipropetrovskut, duke plagosur pesë persona, përfshirë një fëmijë, tha në Telegram kreu i administratës ushtarake rajonale, Oleksandr Hanzha.
Në Bila Tserkva, në rajonin e Kievit, një sulm me dron ka plagosur tre persona dhe ka shkaktuar zjarr në një kompleks garazhesh, duke dëmtuar gjashtë garazhe. Vala goditëse nga shpërthimi ka thyer gjithashtu xhamat e dy ndërtesave të larta të banimit, njoftoi administrata ushtarake rajonale në Telegram.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha se forcat e saj kanë goditur infrastrukturën energjetike, të karburanteve dhe të transportit, si dhe anije të përdorura nga forcat e armatosura të Ukrainës. Sipas saj, objektivat përfshinin një nënstacion elektrik në Bila Tserkva, një depo karburanti në Kiliya, në rajonin e Odesës, si dhe katër lokomotiva në rajonet Dnipropetrovsk, Zhytomyr dhe Kharkiv.
Ministria tha gjithashtu se forcat ruse kanë goditur një anije mallrash që transportonte furnizime ushtarake në Detin e Zi, në jug të Odesës.

