Nga 1 dhjetori shtrenjtohet ngrohja qendrore në Shkup, fatura mesatare do të rritet për 188 denarë
Nga 1 dhjetori, çmimi i energjisë termike për amvisëritë në Shkup do të rritet mesatarisht për 7,56 përqind për konsumatorët që furnizohen nga EMV-ja, ndërsa për konsumatorët e “Energy Ecolink”, ish-ngrohtorja “Shkup Veri”, korrigjimi do të jetë 5,84 përqind, njoftoi sot Komisioni Rregullator për Energjetikë.
Sipas Komisionit Rregullator, me vendimin e ri fatura mesatare mujore do të rritet për 188 denarë dhe do të arrijë në 2.681 denarë.
Nga KRRE-ja bëjnë të ditur se shtrenjtimi i ngrohjes qendrore vjen si rezultat i rritjes së çmimit të gazit natyror, të shkaktuar nga zhvillimet gjeopolitike. Vendimi është marrë pas kërkesave të jashtëzakonshme të parashtruara nga të gjitha kompanitë që furnizojnë konsumatorët me energji termike në kryeqytet, për ndryshimin e të ardhurave maksimale të rregulluara dhe rishikimin e çmimit të përcaktuar në korrik, i cili zbatohet nga 1 gushti i vitit 2026.
Korrigjimi i çmimit të energjisë termike përfshin amvisëritë që furnizohen nga “EMV Furnizim”, “EMV Distribuim”, “EMV Prodhimi i Nxehtësisë” dhe “EMV Energjetika”, si dhe konsumatorët e “Energy Ecolink”. Me ngrohje qendrore në Shkup furnizohen rreth 70.000 konsumatorë.
Rritja e çmimit të energjisë termike vjen edhe përkundër paralajmërimeve të kryeministrit Hristijan Mickoski, i cili para katër ditësh deklaroi se do të bëjnë gjithçka që të mos ketë shtrenjtim të energjisë elektrike dhe ngrohjes qendrore.
Më herët, kryetari i KRRE-së, Aco Ristov, tha se kompanitë kishin kërkuar shtrenjtim prej 45 deri në 50 për qind, por se një rritje e tillë ishte e papranueshme. Ai kishte paralajmëruar se priste që rritja e çmimit të ngrohjes qendrore të ishte nga 6 deri në 8 përqind.

