Sipas Mickoskit arsimi i lartë në shqip është antikushtetues, BDI: Kryeministri po shpik kushtetuta dhe ligje inekzistente
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski dje në Kuvend tha se sipas Kushtetutës, arsimi i lart nuk mund të zhvillohet përveç se në gjuhën maqedonase, duke nënkuptuar mes rreshtash se arsimi i lartë në gjuhën shqipe është antikushtetues. Ndaj kësaj deklarate reagoi deputeti Ilir Hasani, i cili tha se kjo nuk është e vërtetë dhe se kushtetua nuk e përcakton fare gjuhën në të cilën mund të zhvillohet arsimi i lartë.
“Nëse e lexoni me kujdes Kushtetutën do të shihni se arsimi i lartë nuk mund të zhvillohet në asnjë gjuhë tjetër përveç maqedonishtes. Ajo që ligji është ashtu siç është dhe që të gjithë kemi këtë lloj implanti, është çështje tjetër, pasi në gjuhë tjetër nga maqedonishtja mund të kemi arsim fillor dhe të mesëm, por jo edhe arsim të lartë”, tha Mickoski.
“Unë me këtë dijen juridike që e kam si kirurg e shfletova pak Kushtetutën e RMV-së dhe i gjeta këto argumente që nuk përputhen me këtë konstatim paushall të kryeministrit tonë. Neni 44 thotë se çdo kush ka të drejtë për arsim. Arsimi është i arritshëm për të gjithë në kushte të barabarta, arsimi fillor dhe i mesëm është i detyrueshëm dhe falas. Nuk potencon asgjë për arsim të lartë. Nuk përcaktohet gjuha e mësimdhënies në arsim të lartë, të mesëm dhe të ulët. Neni 46 për arsimin universitar thotë se autonomia e universiteteve garantohen. Kushtet për themelimin, ushtrimin dhe ndërprerjen e veprimtarisë së universiteteve rregullohen me ligj. As këtu nuk përcaktohet gjuha maqedone si gjuhë imperative, parësore ose gjuhë tjera të cilat duhet të jenë sekondare. Neni 48 thotë se pjesëtarët e bashkësive kanë të drejtë të mësojnë gjuhën e tyre në arsimin fillor dhe të mesëm në mënyrë të përcaktuar me ligj. Shkollat ku mësimi zhvillohet në gjuhë tjetër, mësohet edhe gjuha maqedonase.Nuk përmendet arsimi i lartë. Në bazë të kësaj që e thash, pyetja për Jeton Shasivari dhe iu kisha lut të më përgjigjet me shkrim pasi nuk është prezent. Duke pasur parasysh se si ministër i Drejtësisë dhe njëkohësisht përgjegjës për interpretimin si profesor i kushtetueses në Fakultetin Juridik në Universitetin e Tetovës dhe mbrojtjen e rendit juridik dhe kushtetuese në Maqedoni, dëshiroj ta parashtroj pyetjen shumë saktë dhe drejtpërdrejt: A pajtoheni me konstatimin e kryeministrit dhe Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut e lejon arsimin e lartë vetëm në gjuhën maqedonase dhe se zhvillimi i mësimdhënies universitare është në kundërshtim ke Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut apo bazuar në interpretimin tuaj profesional dhe juridik të kushtetutës keni ndonjë qëndrim ndryshe nga kryeministri”, tha Hasani.
Reagoi edhe BDI, në vijim po e përcjelli të plotë reagimin:
Kërkojmë që VLEN-i të distancohet publikisht dhe menjëherë nga këto politika, të braktisë Qeverinë dhe institucionet, përndryshe do të jetë bashkautor dhe bashkëfajtor në këto politika përjashtuese, nxitëse dhe degraduese .

