Turqia po e ndjek nga afër situatën e tifozëve të Besiktasit pas ndërhyrjes së policisë në Gjeorgji
Turqia po ndjek nga afër situatën e tifozëve të Besiktasit në Batumi të Gjeorgjisë, pas ndërhyrjes së forcave të sigurisë gjeorgjiane gjatë ndeshjes së klubit nga Stambolli në Ligën Europa, thanë të enjten burime diplomatike turke, transmeton Anadolu.
Ministri i Jashtëm, Hakan Fidan, ka diskutuar çështjen përmes një bisede telefonike me homologen e tij gjeorgjiane, Maka Bochorishvili, thanë burime nga Ministria e Jashtme.
Zyrtarë nga Ambasada e Turqisë në Tbilisi dhe Konsullata e Përgjithshme në Batumi ndodhen në stadium, ndërsa po merren të gjitha masat e nevojshme për të garantuar sigurinë e shtetasve turq dhe për të mbrojtur të drejtat e tyre, shtuan burimet.
Incidenti ndodhi pasi një tifoz shpalosi një flamur palestinez në tribuna, duke bërë që policia gjeorgjiane të përdorte sprej me piper dhe ta rrethonte tifozin.
Ndeshja u ndërpre më pas, pasi gjyqtarët u larguan nga fusha.
Disa klube të Superligës turke, përfshirë Trabzonsporin, Fenerbahçen, Galatasarayin, Erzurumsporin, Basaksehirin dhe Samsunsporin, dënuan përdorimin joproporcional të forcës ndaj tifozëve të Besiktasit, duke shprehur solidaritet me klubin dhe mbështetësit e tij.
Disa prej tyre kritikuan gjithashtu UEFA-n për kufizimet që pengojnë klubet turke të zhvillojnë në vendin e tyre ndeshje kundër ekipeve izraelite.

