Kreu i agjencisë franceze të sigurisë kibernetike paralajmëron për kërcënim kibernetik “të paprecedentë”

Kreu i agjencisë franceze të sigurisë kibernetike paralajmëron për kërcënim kibernetik “të paprecedentë”

Kreu i Agjencisë Kombëtare Franceze për Sigurinë e Sistemeve të Informacionit (ANSSI), Vincent Strubel ka paralajmëruar se vendi po përballet me një nivel të paprecedentë të kërcënimeve kibernetike, të cilat pritet të intensifikohen, si dhe ka bërë thirrje për përpjekje të përbashkëta për forcimin e mbrojtjes kundër sulmeve, transmeton Anadolu.

“Po përballemi me një nivel kërcënimi të paprecedentë, me një intensitet që nuk e kemi përjetuar kurrë më parë”, tha Strubel për radion “France Inter”. Ai bëri thirrje për një “përpjekje kolektive për të kompensuar vonesat” në përmirësimin e mbrojtjes kundër sulmeve kibernetike, duke theksuar se kjo sfidë prek të gjithë.

Deklaratat e tij vijnë në kohën kur France Inter prezantoi “Cybernation”, një podcast fiktiv me tetë episode, i realizuar pas disa muajsh hulumtimi dhe njohjeje nga afër me sektorin e mbrojtjes kibernetike të Francës. Franca është përballur me një sërë sulmesh kibernetike që kanë shënjestruar institucionet publike dhe kompanitë private gjatë muajve të fundit.

Në muajin tetor, një sulm kibernetik shkaktoi ndërprerje të sistemeve të ftohjes në rreth 700 pika supermarketesh në të gjithë vendin. Shërbimet franceze të inteligjencës ia atribuuan sulmin një njësie kibernetike të lidhur me Gardën Revolucionare Islamike të Iranit ndërsa ministri i Punëve të Jashtme, Jean-Noel Barrot, tha se Parisi po shqyrtonte reagimet e mundshme.

Në muajin prill, sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, një sulm tjetër kibernetik që shënjestroi Agjencinë Kombëtare për Dokumentet e Sigurta, e cila administron regjistrimet e automjeteve, patentat dhe dokumentet e identitetit, mund të ketë ekspozuar të dhëna personale.

Sipas agjencisë së sigurisë kibernetike ANSSI, Franca regjistroi 1.366 incidente të sigurisë kibernetike në vitin 2025 ndërsa agjencisë iu raportuan 2.209 ngjarje të sigurisë. Arsimi dhe kërkimi shkencor, ministritë qeveritare dhe autoritetet lokale, kujdesi shëndetësor dhe telekomunikacioni ishin ndër sektorët më të prekur.

MARKETING